Biden e quan Putinin ‘të çmendur’

schedule09:21 - 22 Shkurt, 2024

schedule 09:21 - 22 Shkurt, 2024

Presidenti i SHBA-së Joe Biden e ka quajtur presidentin rus Vladimir Putin një “zhurmues të çmendur” gjatë një mbledhjeje fondesh në San Francisko, si dhe ka vënë në shënjestër paraardhësin e tij, Donald Trump, për krahasimin e tij me liderin e opozitës ruse që vdiq javën e kaluar në një burg Arktik.

“Ne kemi një të çmendur si Putini dhe të tjerë, dhe ne gjithmonë duhet të shqetësohemi për konfliktin bërthamor, por kërcënimi ekzistencial për njerëzimin është klima”, tha ai.

Duke folur me donatorët në një shtëpi private në San Francisko të mërkurën, si pjesë e një vizite tre-ditore nëpër Kaliforni për të mbledhur para për fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2024, Biden tha gjithashtu se ishte i habitur nga komentet e fundit të bëra nga sfiduesi i tij i mundshëm republikan.

Trump e krahasoi vdekjen e dyshimtë në burg të liderit të opozitës ruse Alexei Navalny me problemet e tij ligjore në SHBA.

Trump u gjobit me 350 milionë dollarë pasi një gjykatës i Nju Jorkut zbuloi se ai gënjeu për vite me radhë për pasurinë e tij. Trump tha se vendimi ishte një formë e “komunizmit apo fashizmit”.

“Disa nga gjërat që ky njeri ka thënë, si ai është duke e krahasuar veten me Navalny dhe duke thënë se për shkak se vendi ynë është bërë një vend komunist, ai u persekutua, ashtu si u persekutua Navalny. Nuk e di nga vjen kjo”, tha Biden.

Biden ka një tendencë për të dalë nga skenari gjatë mbledhjeve të fondeve zgjedhore dhe në muajt e fundit ka bërë vërejtje me sa duket të paplanifikuara për presidentin kinez, Partinë Republikane dhe aleatin e SHBA-së, Izraelin për bombardimin e Rripit të Gazës.

Sulmet verbale të Biden kundër Putinit janë intensifikuar gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë dhe gjatë fushatës. Javën e kaluar, presidenti amerikan fajësoi Putinin dhe “banditët e tij” për vdekjen e liderit të opozitës Alexei Navalny.

“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk ka dyshim se vdekja e Nalvany ishte pasojë e diçkaje që bënë Putin dhe banditët e tij,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë pasi zyrtarët rusë të burgut njoftuan se Navalny kishte vdekur.

Kremlini ka mohuar përfshirjen në vdekjen e Navalny dhe tha se pretendimet perëndimore se Putin ishte përgjegjës janë të papranueshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!