Teksa një mister ka mbuluar rrethanat e vdekjes së liderit të opozitës ruse, zbulohet se dy ditë para se Alexei Navalny të ndërronte jetë ishte vizituar në burg nga FSB, shërbimi i Sigurisë Ruse, shkruan Sunday Times.
Ndërsa në disa dëshmi citohet se janë hequr kamerat dhe mikrofonët në ambientet e burgut. Lidhur me kohën e vdekjes së Navalnyt janë publikuar detaje të tjera, ku thuhet se vdekja e tij u regjistruar në orën 14:17, ndërsa brenda katër minutash zyrtarët e burgut kishin hartuar njoftimin me versionin e parë të shkaktut të vdekjes, trombozën.
Ndërsa shtatë minuta më vonë, Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit po fliste në një komunikim me gazetarët për ngjarjen.
Në raportin, i cili bazohet edhe në dëshmitë e të burgosurve të tjerë të publikuar nga Novaya Gazeta, një gazetë e opozitës ruse, thuhet se të gjithë në burg janë informuar katër orë para njoftimit zyrtar për vdekjen e Navalny.
Ndërkohë, numri i qytetarëve në mbështetje të Navalnyt në Rusi sa vjen e rritet.
Autoritetet ruse kanë arrestuar të paktën 400 persona, përfshirë priftin që do të kryente funeralin e Navalny.
/abcnews.al/

