Megjithëse në zonë naftëmbajtëse, banorët në Belinë të Fierit, jetojnë me bujqësi. Kjo u siguron të ardhura, por jo mjaftueshëm sa të mbajnë të rinjtë në fshat.
Të njëjtin fat dukej se do të pësonte edhe familja Fisheku, por Manushaqja, nënë e dy fëmijëve nuk u dorëzua.
Ndërtimi i një sere në kohën kur të gjithë bashkëfshatarët po falimentonin, ishte mundësia e fundit që kishin bashkëshortët Fisheku për të ndërtuar një të ardhme për vete dhe fëmijët. Ndaj për t’ia dalë, ata kontaktuan agronomin e zonës, Adrian Rama. Ky i fundit i njohu edhe me bletet pllenuese, të cilat janë punëtorët e vetme të serës me domate.
Tani puna ecën vetë, me bletët që bëjnë punën e disa punëtorëve dhe për më tepeër, pa kimikate dhe fitorregullues çka garanton edhe shitjen e të gjithë prodhimit për eksport.
Prodhimi del në muajin mars, një përiudhë kur asnjë vend tjetër në rajon nuk nxjerr domate. Klima e Myzeqesë dhe bletët pllenuese bëjnë që prodhimi të jetë cilësor dhe të ‘përpihet’ nga tregjet europiane.
Në këtë mënyrë, Manushaqja arriti atë që shumë nëna do të donin të bënin për fëmijët e tyre, iu gjeti atyre një punë të sigurtë, pranë familjes.
Aleanca me bletët që nga ana e tyre janë edhe inteligjente, gjithsesi nuk e shpëton Manushaqjen nga lodhja e punëve të fshatit.
Bimët duhen kontrolluar dhe mirëmbajtur një nga një që të japin rendiment maksimal ndërsa në shtëpi ka edhe dy lopë nga të cilat siguron të ardhura shtesë.
Bletët pllenuese të quajtura bombus shfrytëzohen prej vitesh në bujqësi në vendet europiane. Ato shmangin përdorimin e fitorregullatorëve ose të ashtuquajturat hormone.
Bimë si domatja që në dimër nuk kanë aftësi të vetëpllenohen, kanë nevojë për fitorregullatorë ose si në rastin e serës së familjes Fisheku për bletët, që të kryejnë procesin e pllenimit në dimër./abcnews.al