Presidenti i Tiranës, Refik Halili, foli pas humbjes në derbi ndaj Partizanit, me rezultatin e ngushtë 2-1.
Në prononcimin mediatik të dhënë përballë gazetarëve, presidenti i klubit bardheblu u shpreh: “Unë vazhdoj të kem besim te skuadra. Besoj se e pamë të gjithë, ne pësuam gol nga një episod. Derbi është derbi, për një gol luhet. Duhet të shikojmë rastet e krijuara dhe të humbura, sot (dje, e premte) ato ishin kundër nesh.
Ne po vazhdojmë rrugën që kemi nisur, pavarësisht se kemi pësuar shumë gola. Shpresojmë që nga java në javë ta sistemojmë këtë gjë. Këtë javë do fillojë ndryshimi nga porta. Duhet të bëhet një farë ndryshimi, shpresojmë të na kthehet dhe portieri Serlmani.
Do kemi më shumë siguri në mbrojtje. Portierët e rinj janë e ardhmja jonë, në të ardhmen shpresojmë të bëjnë më mirë. Skuadra ka goxha brumë brenda. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën në vazhdimësi. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe kampionati shqiptar. Në javët e ardhshme 100 % do të kemi ndryshime dhe do të ecim përpara.
Nuk po flas për formulën, është diçka që është bërë, shikojmë çdo bëhet në të ardhmen. Do të jemi 100 % pjesë e katërshes”, u shpreh Halili./ h.ll/abcnews.al