Perëndimi reagon për vdekjen e Navalny: Një luftëtar që sakrifikoi jetën për idealet e tij

schedule13:58 - 16 Shkurt, 2024

schedule 13:58 - 16 Shkurt, 2024

Lidërët europianë kanë reaguar në lidhje me vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili ndërroi jetë këtë të premte në ambientet e burgut, ku ishte transferuar në Siberi.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se ishte i pikëlluar dhe i shqetësuar nga raportet që vinin nga Rusia.

Vdekja e Navalny është “lajm i tmerrshëm”, tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, duke theksuar se Navalny demonstroi guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij.

Për vdekjen e kritikut të Putinit ka reaguar edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili tha se ai pagoi guximin me jetën e tij.

Ndërsa Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky i ka bërë thirrje botës që të nderojë kujtimin e një njeriu të burgosur dhe të torturuar deri në vdekje për shkak të qëndrimit kundër Putinit.

Dhe Krisjanis Karins, ish-kryeministër letonez dhe ministër i jashtëm aktual tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga lajmet, duke theksuar se vdekja e tij është plotësisht në ndërgjegjen e regjimit kriminal të Putinit.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka thënë se blloku konsideron se regjimi rus është përgjegjës për vdekjen tragjike të tij. Në një postim në X, Michel tha se Navalny “luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë” dhe sakrifikoi për idealet e tij.

“Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen e tij. Dhe për ata që luftojnë për demokracinë në mbarë botën në kushtet më të errëta.  Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk përfundon kurrë,” shtoi Michel.

Pas këtij reagimi të NATO-s ka reaguar edhe Moska, e cila akuzon perëndimin për përfundime të gatshme. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se ende nuk ka ende asnjë ekzaminim mjekoligjor për vdekjen e Navalny-t

“Reagimi i menjëhershëm i liderëve të NATO-s ndaj vdekjes së Navalny, në formën e akuzave të drejtpërdrejta kundër Rusisë”, tregon natyrën e këtyre vendeve. Nuk ka ende asnjë ekzaminim mjekoligjor, por përfundimet e Perëndimit janë tashmë gati,” tha Maria Zakharova.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!