Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë një projektligj për migrimin që përfshin edhe ndihmën për Ukrainën, përderisa ligjvënësit po përballen me presion politik nga kandidati kryesor presidencial republikan, Donald Trump, që të mos e miratojnë këtë ndihmë.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden u tha ligjvënësve që të miratojnë masën, e cila sipas tij përfshin kërkesat e republikanëve për çështjet e migrimit, dhe që atë legjislacion t’ia dërgojnë atij që ta nënshkruajë në ligj, shkruan REL.
Ai theksoi nevojën urgjente për të miratuar ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus të nisur nga presidenti Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.
“Koha po kalon. Çdo javë, çdo muaj që kalon pa ndihmë të re për Ukrainën nënkupton se ata do të kenë më pak municione të artilerisë, më pak sisteme të mbrojtjes ajrore më pak mjete që të mbrojnë veten ndaj rusëve”, tha Biden.

