Mund të thuhet me plot gojën, se Kupa e Italisë ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë, me vetëm 4 ekipe të mbetura, Atalanta, Fiorentina, Juventus e Lazio, që do të përballen me njëra-tjetrën, në bazë të çifteve të përcaktuara, për trofeun e dytë më të rëndësishëm në Itali, pas titullit të kampionatit, që dalëngadalë po ngjyroset “zikaltër”.
Të hënën që sapo lamë pas, janë shpallur dhe datat e oraret se kur do të luhen sfidat gjysmëfinale të kompeticiont, me përballjen e parë, që do të jetë ajo e “Allianz Stadium”, mes “Bardhezinjve” të Juventus e “Shqiponjave” të Lazio, mbrëmjen e 2 prillit dhe vetëm 24 orë më vonë, “Violët” e Fiorentina do të presin në “Artemio Franchi”, Atalanta-n e Berat Gjimshitit.
Pas një pauze thuajse 20 ditore do të zhvillohen edhe sfidat e kthimit, me përballjen Lazio-Juventus, që do të luhet më 23 prill, ndërsa sfida Atalanta-Fiorentina, një ditë më vonë, për të pritur më pas mbrëmjen e 15 maj, ku në “Stadio Olimpico” të Romës do të zhvillohet finalja e madhe e këtij edicioni, të “Coppa d’Italia”. /i.m /abcnews.al