Një delegacion i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, do të qëndrojë në Kili për të hetuar rreth dhunës së ushtruar ndaj protestuesve nga forcat e rendit. Presidenti i vendit Pinera u shpreh se e kishte kërkuar vetë një gjë të tillë, për të qenë sa më transparent. Gjatë protestave disa ditore mbetën të vrarë 18 persona.
Agjencia e kombeve të bashkuara për të drejtat e njeriut do të dërgojë një mision në Kili për të hetuar autoritetet në vend, për 18 viktimat mes protestuesve gjatë një jave manifestimesh dhe përplasjesh me policinë. Autoriteti i lartë humanitar drejtohet pikërisht nga ish presidentja e Kilit, socialistja Mishel Bakelet.
Presidenti konservator Sebastian Pinera u shpreh se situata e rendit publik është në përmirësim e sipër. Ai shtoi se ka përmirësim dhe në kushtet e jetesës në qytete. Përplasjet e dhunshme vijuan edhe të enjten por me më pak intensitet, në fakt gjendja e jashtëzakonshme është pezulluar përkohësisht në disa zona. Por ky duket më shumë si një sinjal që i dërgohet komunitetit ndërkombëtar në prag të mbërritjes së inspektorëve të dërguar nga Bakelet.
Prania e delegacionit të komisariatit të lartë për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, sipas ministrisë së jashtme të Kilit është kërkuar nga Santiago. Pra nuk është një iniciativë e Bakeley. Duke marrë në konsideratë të kaluarën autoritare të vendit; dhe sidomos identifikimin e konservatorizmit kilen, aktualisht në qeveri, me substancën politike dhe mbi të gjitha ekonomike – sociale të Pinoçet, të bërë nga disa sektorë të së majtës, presidenti Pinera do të marrë masat duke u treguar transparent për sa i përket sjelljes së forcave të rendit.
Gjenerali Augusto Pinoçet mori pushtetin me anë të një grushti shteti në vitin 1973, dhe vendosi një diktaturë e cila zgjati deri në vitin 1988. Puçi shkaktoi një gjakderdhje e cila zgjati disa vjet me shtypje të dhunshme dhe shumë të zhdukur. Një nga viktimat më të njohura ishte Salvator Alende, në atë kohë president socialist vendit amerikano – jugor./ABC News Albania