Pedagogu Klodian Skrame i ftuar në emisionin “ABC-ja e Mëngjesit”, foli për rrëshqitjen e shkëmbinjve dhe shkaqet e tyre.
Ai u shpreh se për të evituar fenomene të tilla apo edhe ngjarje të mundshme tragjike duhen ndërhyrje në pjerrësinë e shpatit dhe vepra inxhinierike. Më tej ai tha se rënia e gurëve normalisht shkaktohen nga njeriu, natyra ose tërmetet.
“Fenomeni njihet si rrëshqitje, ku ne i klasifikojmë në bazë të shpejtësisë dhe llojit të shkëmbit. Ajo që ndodh për gjeologët nuk është asgjë e re, pasi punojmë çdo ditë. Në zona të ndryshme të vendit kemi shkëputje të këtyre blloqeve. Në momentin që preket njeriu, atëherë bëhet lajm. Në rastin konkret lidhet më shumë me kushtet atmosferike dhe jo me njeriun. Janë zona disa malore, sidomos në Përmet ku janë prezente ngricat dhe akulli. Në një zonë aty afër kemi penetrimin e ujërave nëntokësore, ku rritja e vëllimit të ujit thellon ato çarje që janë ekzistuese. Edhe rrënjët e bimëve krijojnë këto çarje. Të çarat janë kryesisht vertikale që gjenerohen me kalimin e viteve. Edhe zona e Krujës njihet për këtë fenomen.
Rënia e gurëve normalisht shkaktohen nga njeriu, natyra ose tërmetet. Gurët qe ne gjejmë në pjesën e poshtme të maleve vijnë nga lart, ata krejt akull, të vjetër 150 milionë vjet më parë.
Dua të theksoj se impakti ynë (njerëzit) është rrënjësor. Ne kemi ndërhyrë duke investuar në infrastrukturë, duet të kemi dhe një qasje më miqësore me shpatin. Problemi është se këtu në Shqipëri këto fenomene bëhen lajm vetëm në momentin që kemi tragjedi.
Problemi që ne shkaktojmë është që nuk sigurojmë dot shpatin, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Ne kemi ndërtuar rrugën dhe pastaj kuptoj që kemi probleme gjeologjike. Problemi këtu është se nuk bëhen studime, akset rrugore kanë problematike të lidhur me fenomenin e rrëshqitjeve”, u shpreh pedagogu Skrame.
/abcnews.al