Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço, analizoi aktivitetin kriminal në vend, përfshirë krimin në familje, dhunën dhe atentatet, duke sjellë edhe në vëmendje krimet e diktaturës.
Gjatë intervistës në emision “Bardh a Zi”, në ABC eksperti riktheu në vëmendje krimet e tmerrshme të diktaturës dhe torturat që përdoreshin në atë kohë ndaj të burgosurve politikë.
“Krimet ordinere në kohën e komunizmit i shikonim vetëm si shfaqje të shëmtuara të Perëndimit. Por krime ka pasur gjithë kohën. Sot kemi krime shtetërore, e nisim edhe nga ’92 ku kemi pasur edhe vrasje në komisariatet e policisë. Kemi ’97 që nuk dimë se çfarë përmasash mori. Kemi pasur raste që na është vrarë edhe një polic brenda komisariatit, për shkak të bullizmit. Ka pasur një rast në Korçë që vidhnin varret, policia u vu në veprim. Një polic identifikoi një person, i dyshuari nxori thikën dhe e vrau. Këto fenomene i kemi pasur. Shteti parashikon me rregulla dhe parandalon. Ne kemi 33 vite, edhe ndërkombëtarët na thonë demokraci hibride. Ne si shqiptarë nuk kemi arritur të kontrollojmë ku i kemi kufizimet mes njëri-tjetrit. Sot ne na luftojnë akoma me reminishenca të shkollës ruse në një demokraci siç jemi. Ne vitet e pas luftës në regjimin komunist ne kemi pasur një kriminel rus lufte që ka përcaktuar hartën e të gjitha kampeve të burgjeve në vend. Ky ka shkruajtur manualin e parë se si duhen bërë torturat për të nxjerrë informacione të të burgosurve politikë. Në kohën e kinezëve ishte një manual me pikat e ujit, atë kemi pasur edhe ne. Kemi pasur edhe ndikimin psikologjik, formohej një grup , t’i largoheshe nga shtëpia ata vinin dhe ndryshonin gjërat në shtëpi. Më pas ktheheshe në paranojë, drejtoheshe tek mjeku dhe futeshe në degradim total.
/abcnews.al/