Genku pret Liverpoolin nesër në shtëpi. Belgët frenuan në një barazim pa gola Napolin e Ancelottit dhe do të tentojnë të njëjtën gjë edhe kundër kampionëve në fuqi, pavarësisht vështirësisë më të madhe që paraqet ky duel.
Mbwana Samatta është bomberi kryesor i ekipit. 26-vjeçari nga Tanzania ka shënuar 5 gola në kampionat deri tani dhe një në Champions League, në humbjen 6-2 kundër Salzburgut.
Samatta do të bëjë të pamundurën për t’i shënuar ekipit të Kloppit. Ai është që i vogël një tifoz i zjarrtë i Manchester United dhe kjo ndeshje merr trajtat e një “derbi” për të. Sulmuesi afrikan do të përballet me Virgil Van Dijk dhe në vendlindje kjo ndeshje do të përjetohet si një festë kombëtare.
“Skuadra ime e preferuar ka qenë gjithmonë Manchester United, por më duhet ta pranoj se Liverpooli është shumë herë më i fortë sot. Çdo fëmijë dëshiron të luajë në ndeshje si kjo e nesërmja. Ndjen diçka të veçantë kur dëgjon himnin e Championsit.
Në vendin tim po e presin me padurim këtë ndeshje. Flasin prej ditësh dhe tema e bisedimeve është kjo: ‘Aly kundër mbrojtësit më të mirë në botë’. Në Tanzani do të bëhet një festë e madhe nesër”, përfundon sulmuesi i ekipit belg. /abcnews.al