Pavarësisht sfidave dhe krizës së çmimeve qeveria shqiptare ka pritshmëri optimiste për ecurinë ekonomike të vendit.Në programin ekonomik afatmesem parashikohet që rritja ekonomike do të jetë 3.7 përqind për vitin 2024.Impakt kryesor në këtë ecuri mendohet se do të japë sektori i turizmit pasi gjatë këtij viti operatorët turistikë presin 13-15 milionë turistë si dhe sektori i ndërtimit. Shitja e pasurive tek të huajt po vijon të ketë shifra rekord në vend.
Ndërkohë më optimistë mbetet parashikimi gjatë periudhës afatmesme 2024-2026 ku rritja ekonomike pritet të qëndrojë afër 3.9 për qind, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi privat ashtu edhe nga investimet.
Turizmi dhe shërbimet parashikohet të nxisin punësimin në vend qw parashikohet të rritet me një mesatare prej 0.3 përqind në vit gjatë periudhës afatmesme
Në programin ekonomik theksohet se inflacioni do të rikthehet në objektiv gjatë këtij viti por Banka Qendrore pritet të ndërmarë përëri një rritje të normës bazë të interesit.
Presionet inflacioniste kanë rezultuar në rënie gjatë vitit 2023, të udhëhequra nga ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të ushqimeve dhe rënia e çmimit të lëndëve energjitike në tregjet ndërkombëtare.Rol vlerësohet se ka pasur edhe mbiçmimi i fortë i kursit të këmbimit të Lekut ndaj monedhave kryesore ndërkombëtare i cili ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste në çmimet finale në vend.
Vlerësimet e qeverisë për ecurinë ekonomike mbeten më optimiste se ato të bëra nga Banka Botërore e cila pret një rritje ekonomike prej 3.2 % për këtë vit dhe FMN cila parashikon që ekonomia shqiptare do të pësoj një rritje me 3.3%./abcnews.al