Basketbolli me eksperiencë italiane, sekretari i ri i Federatës, ish-“yll” në elitën e koshit në Apenine

schedule15:16 - 12 Janar, 2024

schedule 15:16 - 12 Janar, 2024

Nga fusha në zyrë, ndryshimi erdhi shpejt.

Është kënaqësi të takojmë Franko Bushatin, një nga yjet më të shkëlqyer të basketbollit shqiptar të dekadave të fundit, që tashmë ka veshur kostumin e sekretarit të Federatës.

Për 16 vjet luajti në Serie A e B në Itali, dhe siç thonë italianët është “filio d’arte”, pasardhësi i “yllit” të Partizanit, Pjerin Bushati.

“Shumë shpejt pata një takim me Presidentin dhe pas dy javësh isha në Tiranë. Po luaja në Serie B, në Cesena dhe dëshira për t’u kthyer e të jem në sportin ku kam kaluar gjithë jetën time, si dhe të sjell diçka që kam mësuar nga eksperienca imë në Itali këtu është dicka e bukur për mua. Trajner e dija që nuk mund të bëhesha, këtu që bëra disa kurse menaxhimi sportiv, ku ideja ishte të filloja punë në një skuadër, por kur më erdhi oferta nga Federata e vendit tim, nuk e mendova dy herë”,- shpreht Bushati, në fillim të intervistës së tij, për ABC News. 

Cilat janë planet e këtij viti në Federatë?

“Çdo gjë duhet të fillojë nga trajnimi i trajnerëve. Unë jam shumë i përqendruar te moshat, si dhe të organizojmë sa më shumë klinika për trajnerët. Është një projekt i KOKSH-it, për sportin në shkolla. Mosha 14 për shembull e mbyll kampionatin në dhjetor dhe me patjetër duhet të bëjmë diçka të re, pasi kemi nevojë, që këto djem dhe vajza të luajnë sa më shumë, të stërvitem sa më shumë. Klaudio detyra e parë që ka është të piketojë çdo lojtar, që ne kemi jashtë dhe është diçka që nuk ishte bërë më përpara.”

Buxheti që jep shteti gjithmonë është pak, duhet ligji i sponsorizimit, si në Kosovë.

“Në qoftë se të gjithë shtetet e kanë, patjetër ne jemi të penalizuar. Ekziston në Kosovë, nuk paskemi nevojë ta krahasojmë me Italinë, Spanjën apo vende të tjera. Shpresoj që të vijë dita që ta kemi edhe ne, por më shumë se të flas e ta kërkoj, nuk mund të bëj gjë tjetër”.

Padyshim është kënaqësi të kujtojmë karrierën e Franko Bushatit në Itali.

“Me Stellaazzurra-n, që është akademi më e famshme në Itali, por edhe në Evropë, që ka prodhuar lojtar, që kanë luajtur edhe në NBA, si Andrea Bargnani, ku kam luajtur që 14 vjeç, pastaj, Dinamo Sassari në Trapani e më pas 6 vite në Brescia, ku kam arritur të fitoj edhe 2 herë titullin kampion e më pas me ike si Torino e Udine. Kur kujtoj lojtarët, që luanin të martë e të enjte, në Euro League, më pëlqen gjithmonë të kujtoj ish-shokët e mi të skuadrës, që përpiqesha gjithmonë të mësoja nga ta, si David Moss apo Luca Vitali.”  /i.m /abcnews.al