Agjenti i Dragusin flet hapur: Nuk më besohet që refuzuam Bayern Munich, por i kishim dhënë fjalën Tottenham

schedule18:07 - 10 Janar, 2024

schedule 18:07 - 10 Janar, 2024

Telenovelës Radu Dragusin i erdhi fundi, me lojtarin që në orët e ardhshme do të kryejë vizitat mjekësore e më pas do të zyrtarizohet si futbollisti më i ri i Tottenhamit në Premier League.

Rumuni kishte shumë oferta në tavolinë, megjithatë në fund zgjodhi t’i qëndronte besnik anglezëve, të cilëve ia kishte dhënë fjalën që në fillimin e kësaj merkatoje dimërore.

21-vjeçari refuzoi edhe Bayern Munchen për t’u transferuar në Londër teksa agjenti i mbrojtësit, Florin Manea, thekson se ende nuk e beson se kanë refuzuar rekordmenët e Gjermanisë.
“Akoma nuk e besoj se kemi refuzuar Bayern Munchen. Klubin e ardhshëm të Dragusin e vendosëm në orën 8 të mëngjesit, pas një nate që e kaluam pa fjetur fare. Ishte një zgjedhje tepër e vështirë, Bayerni e kërkonte me çdo kusht dhe bëri ofertë zyrtare.

Madje, ofruan më shumë para se të tjerët, por Dragusin vendosi se Tottenham dhe Premier League ishin hapi i duhur për karrierën e tij.

Dragusin kishte ofertë edhe nga Napoli me Milanin, por që i vogël ëndërronte të luante në Premier League. Tottenham bëri një sforco të madhe për Dragusin dhe ne i kishim dhënë fjalën se nëse do të gjenin akordin me Genoan atëherë lojtari do të transferohej në Londër”, u shpreh Manea./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!