“Ne duhet të punojmë drejt një të ardhmeje ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krah për krah në paqe, kjo është e vetmja rrugë përpara.”
Kështu tha zëvendës ambasadori i SHBA-së në OKB, Robert Wood, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar për veton e fundit të SHBA-së ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të 22 dhjetorit që kërkon një armëpushim humanitar në Gaza.
“Izraeli e ka bërë të qartë se është gati të kthehet në pauzë në luftën për lirimin e pengjeve. Ne të gjithë duam të shohim një fund të këtij konflikti, por kemi dëgjuar shumë pak kërkesa nga ata që filluan konfliktin më 7 tetor, përkatësisht Hamasi”, shtoi ai, duke theksuar se do të ishte e dobishme të kishte një zë ndërkombëtar që i bën thirrje Hamasit për t’i dhënë fund konfliktit./abcnews.al