Dronët në Rusi, strategji e Ukrainës për vitin e ri

schedule22:36 - 5 Janar, 2024

schedule 22:36 - 5 Janar, 2024

Sistemet kundërajrore të Rusisë kanë rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas në Krimenë e aneksuar dhe në pjesën jugore të Rusisë të premten teksa Kievi ka nisur të prezantojë strategjinë e re të luftës që ka për cak Krimenë. Ushtria ukrainase me këto sulme ka paralajmëruar se dëshiron të zgjerojë luftën edhe në territorin e Rusisë.

Sirenat e bombardimeve janë dëgjuar në Sevastopol, qytetin më të madh të Krimesë dhe trafiku është ndalur për ditën e dytë me radhë në urën që lidh Krimenë me territorin rus. Ura është lidhje e rëndësishme e furnizimit të ushtrisë ruse me armatim.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se sistemet kanë rrëzuar 36 dronë mbi Krime dhe një në Krasnodar. Ky sulm është pjesë e planit të intensifikuar të Ukrainës në ditët e fundit.

Edhe një raketë Neptune që përdoret kundër anijeve është shkatërruar në veriperëndim të Detit të Zi. 10 raketa të tjera kanë rënë qytetin rus Belgorod. Mirëpo copat e raketave kanë rënë në qytet duke lënduar disa persona. Krimeja e aneksuar dhe Belogorodi në javët e fundit kanë qenë cak i sulmeve ajrore të Ukrainës. Nga copat e raketave janë dëmtuar 100 shtëpi dhe apartamente në Belgorod.

Qyteti në kufi me Ukrainën edhe të shtunën është bombarduar. Autoritetet ruse kanë njoftuar se 25 persona u vranë, përfshirë pesë fëmijë. Ky ishte njëri nga sulmet më të mëdha në territorin rus që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se sivjet ushtria do të ketë cak Krimenë dhe rajonet ruse në kufi me Ukrainën. Qëllimi është që t’ua prishë rehatinë rusëve në kohën kur presidenti Vladimir Putin do të bëjë fushatë për mandatin gjashtëvjeçar si president për zgjedhjet e 17 marsit.

Sulmi ukrainas ndaj bazave ushtarake në Krime ka dëmtuar qendrën komanduese dhe sistemin e mbrojtjes ajrore, ka njoftuar zëdhënësja e forcave ukrainase për jugun, Nataliia Humeniuk.

Ajo ka thënë se ushtria ruse së fundmi ka zhvendosur lansuesit e dronëve Shahed. Kjo nuk ka mundur të verifikohet nga “Associated Press”.

Pa sulmeve me dronë thellë në territorin e Rusisë, Zelenskyy kishte thënë se Ukraina ka zhvilluar armë që mund të godasin deri në 700 kilometra distancë. Gjatë muajit dhjetor kishte paralajmëruar se Kievi do të prodhojë 1 milion dronë, që janë bërë armë e rëndësishme në frontin e luftës.

Zyrtarët e tjerë ukrainas kanë thënë se sivjet do të prodhojnë 10 mijë dronë të sulmit që kanë rreze veprimi deri në qindra kilometra dhe 1 mijë dronë të tjerë që mund të përdoren për të sulmuar territorin e Rusisë.

Të dyja palët kanë nisur të aktivizohen me armët në distancë, sepse ushtritë kanë mbetur të bllokuara në fushëbetejën e akullt. Ministria britanike e Mbrojtjes të premten ka deklaruar se “luftimet tokësore kanë vazhduar me intensitet shumë të ulët”.

Ndërkohë, Kremlini ka marrë raketa balistike nga Koreja Veriore dhe një e ka përdorur në Ukrainë më 30 dhjetor, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë të enjten, duke cituar inteligjencën amerikane. Nga Irani ka kërkuar edhe raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi.