Këshilli NATO-Ukrainë do të diskutojë sulmet ajrore ruse

schedule21:54 - 4 Janar, 2024

schedule 21:54 - 4 Janar, 2024

Zyrtarët e NATO-s dhe të Ukrainës do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar sulmet ajrore të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka përfshirë valë të mëdha sulmesh që nga fillimi i vitit.

Zëdhënësi i NATO-s, Dylan White, tha të enjten se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mblidhte Këshillin NATO-Ukrainë më 10 janar, “pas sulmeve të fundit ruse me raketa dhe dronë”. Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar që aleatët të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit, ndërsa Rusia ka kryer sulme të përditshme me raketa dhe dronë duke vënë në shënjestër qytetet ukrainase.

Dy nga netët më aktive të sulmeve ruse kanë ndodhur gjatë javës së kaluar, duke përfshirë dhjetëra raketa dhe dronë që kanë sulmuar kryeqytetin, Kiev. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të mërkurën se një nga temat kryesore në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë do të ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe ai i quajti bisedimet një shenjë të rëndësishme të unitetit euro-atlantik përballë përshkallëzimit të terrorit rus”.

Të martën, zoti Kuleba u bëri thirrje aleatëve që të dërgojnë shpejt sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet në Ukrainë dhe t’u ofrojnë forcave ukrainase dronë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë se 300 kilometra. Zoti Kuleba gjithashtu bëri thirrje që të miratohet përdorimi i aseteve ruse të sekuestruara për të ndihmuar Ukrainën dhe për të izoluar diplomatët rusë.

Ukraina tha të enjten se Rusia vazhdoi sulmet e saj ajrore gjatë natës me dy dronë që mbrojtja ajrore ukrainase i rrëzoi në rajonin Khmelnytskyi. Sulmi rus përfshinte gjithashtu tre raketa që synonin qytetet Kharkiv dhe Donetsk, thanë forcat ajrore ukrainase./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!