Pak para mbërritjes në Beograd, në kuadër të një vizite zyrtare, kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev u shpreh se në Prishtinë në pushtet po vijnë ultra nacionalistët.
Kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev, do jetë në Beograd në kuadër të një vizite zyrtare ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit serb, homologen e tij, Ana Brnabiç, e kreun e shtetit serb, Aleksandër Vuçiç.
Para kësaj vizite, Medvedev në një intervistë për median serbe “Vercernje Novosti”, komentoi dhe situatën aktuale në Kosovë sidomos pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke përmendur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Medvedev i referohet Vetëvendosjes si ultra nacionaliste.
Kreu i ekzekutivit rus theksoi se Moska po e vëzhgon situatën në Prishtinë, sidomos tani pas zhvillimeve të reja politike.
“Qasja jonë ka mbetur e njëjtë. Në të njëjtën kohë ne jemi të detyruar që të vëzhgojmë proceset aktuale që po zhvillohen në Prishtinë dhe presionin që po bëhet nga atje, aq më tepër kur tani po vijnë në pushtet ultra-nacionalistët”, u shpreh Medvedev.
Ai shtoi se Rusia respekton integritetin territorial të Serbisë, dhe se shteti i tij është kundër lëvizjeve të njëanshme në rajonin e Ballkanit./ABC News Albania