Juristja Brizida Gjikondi thotë se Partia Demokratike po kalon një krizë të madhe identiteti, që nuk ka kthim mbrapa.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Gjikondi u shpreh se kjo forcë politike do të zhbëhet.
Në lidhje me mos prezencën e Lulzim Bashës në seancën për votimin e heqjes së imunitetit të Sali Berishës, Gjikondi nënvizoi se Basha nuk ka stofin për t’u përballur me vendimet që merr dhe se është i kompleksuar nga gjeneza e tij, familja Berisha.
“Mendoj që Partia Demokratike po kalon krizë të madhe identiteti, pa kthim mbrapa. Ka një drejtim autoritar, ku “njëshi” është simboli i asaj partie, ku “njëshi” nuk lejon të rriten figura të tjera. Mendoj se Partia Demokratike po korr atë që ka mbjellë, po korr diktatin, autoritarizmin, delirin e madhështisë. Edhe për Berishën, i ulet koka dhe tregon që është një shqiptar, nuk është racë superiore. Jam e bindur që Partia Demokratike zhbëhet, filiza të reja nuk ka. Tani do sulen të gjithë si çakej, secili të marrë pjesën e tij. Janë dëmtuar moralisht, sepse janë infektuar nga Berisha.
Basha tregoi që nuk ka stofin për t’u përballur me vendimet që merr, kur është momenti deçiziv, ai është i kompleksuar nga gjeneza e tij, nga familja Berisha. Është zgjedhje e Berishës dhe vajzës së tij. Berisha nuk zhgënjen, por edhe Basha nuk zhgënjen. Nuk e shoh Bashën që mund ta prijë Partinë Demokratike, pasi nuk ka këllqe të dalë para gjenetikës së tij poiltike. Partia Demokratike do shqyhet, do sulen të gjithë që ta kapin. Vendimi i datës 27 dhjetor është shumë i rëndësishëm, por formal, moralisht kjo parti është shpërbërë.
Gazment Bardhi është një njeri që ka bërë shumë dredha në kohët e fundit. Këto kohë, zig zaget e tij kanë qenë të shëmtuara. Berisha nuk ka akoma një po të ndarë të Bardhit. Mendoj se Bardhi, do isha skeptike po t’i bashkohej. Opozitë nuk kemi parë, nuk quhet opozitë një pari brenda. Meta ka hallin e kokës së vet, nuk do që të bëhet kamikazi i Berishës. Ai nuk i ka mirë gjërat me bashkëshorten e tij. Berisha është në vetmi totale”, theksoi ajo./abcnews.al