Ryanair lider në Evropë/ Kompania synon të krijojë bazë në Shqipëri brenda 5 viteve

schedule16:19 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 16:19 - 17 Dhjetor, 2023

Teksa shohim nga afër aeroportin e Bergamos, ajo që bie në sy janë avionët e shumtë të Ryanair që ulen në pistë, apo nisen për fluturim.

Fluturimet e para të kësaj linje ajrore nga ky aeroport nisën dy dekada më parë. Vit pas viti aeroporti i Bergamos pësoi një shndërrim, falë invetsimeve të mëdha të Ryanair.

“Në vitin tonë të parë të punës kishim 1 milionë pasagjerë në 1998, pa Ryanair atë periudhë. Ryanair na u bashkua në 2002 me fluturimet e para dhe në shkurt të 2003 ngriti bazën këtu dhe që nga ai moment , aeroporti u rrit. Ndryshoi rrënjësisht në mënyrë sinjifikative në 20 vite në çdo kuptim, u zgjeruan hapësirat, u shtuan udhëtarët, numri gateve, dyqaneve, parkimeve.”, tha Giacomo Cattaneo, drejtori komercial BGY.

Ryanair nisi fluturimet për herë të parë edhe në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës në 31 tetor të këtij viti me 17 destinacione. Modeli i suksesit në Bergamo, Ryanair pritet ta ndjekë edhe me Shqipërinë. Kjo kompani synon që brenda pesë viteve të krijojë bazën e saj në vendin tonë, duke sjellë zhvillim për aeroportin dhe deri në 5 mijë vende pune.

“Ne mendojmë se aeroporti i Tiranës padiskutim ka potencial të madh, ndaj e nisëm punën me ta me një numër të konsiderueshëm fluturimesh. pra të ofrosh udhëtime në 17 vende të Bashkimit Europian. Mendoj se kjo tregon që Ryanair ka interes për Shqipërinë. Por ky është vetëm fillimi, ne parashikojmë të sjellim 1.6 milionë pasagjerë në vitin tonë të parë, por është e sigurt se duam të rritemi. Ne planifikojmë që për 5 vite të arrijmë 5 milionë pasagjerë e të shtojme dhe 15 destinacione të reja.“, theksoi drejtori i komunikimit të RYR, Mauro Bolla.

Ryanair është linja ajrore kryesore me 135 milionë pasagjerë dhe 3300 fluturime në ditë, duke u kthyer në lider të tregut europian. Suksesi i saj janë padiskutim biletat e lira për pasagjerët, mirëpo për të arritur deri këtu, Ryanair ka bërë një investim të jashtëzakonshëm, në infrastrukture dhe jo vetëm.

Për sigurinë e avionëve, kompania ka ngritur hangarë me kosto deri në 50 milion euro. Gjithashtu Ryanair ka krijuar shkollën e inxhinierëve, për të përgatitur profesionistët e rinj. Ndërsa, stafi prej 2500 pilotësh dhe 6 mijë stjuardesësh trajnohen në 5 akademi.

Ryanair synon të zgjerohet më tej në Europën Lindore, ndërsa foksusi i saj në vitet e ardhshme mbetet Shqipëria./abcnews.al