Analisti Mentor Nazarko thotë se largimi për pak kohë i Lulzim Bashës nga skena aktive politike, bëri që Partia Demokratike të copëtohet në 3 pjesë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko u shpreh se mund të kemi dinamikë të re, pasi më 27 dhjetor të zhvillohet gjyqi i radhës për vulën e Partisë Demokratike, që pritet t’i mbetet Bashës.
“Është një degjenerim klasik pushteti, pra, një forcë politike që është prej dy mandatesh e gjysëm, disa kryetarë bashkish mund të kenë edhe sesa dy mandate, kështu që, mungesa e një kontrolli dialektik të opozitës, ka ndodhur degjenerimi i përmasave të tilla, siç ajo që vihet re në disa prej çështjeve, kur ata që kanë vjedhur nuk janë përpjekur për të fshehur hollësitë, kanë qenë shumë të dukshëm në qëllimet e tyre grabitëse. Ajo që po ndodh, nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të fuqimiit të shumicës, por edhe për shkak se largimi i Bashës, të paktën për një pjesë kohe, e ka bërë që partia të copëtohet në tresh.
Basha, vërtet mund të duket tani sikur ka një pjesë më të vogël, sepse ai qëllimisht ka shkarkuar nga vetja një pjesë e atyre që janë grupi i Bardhit apo i Berishës, të cilët e dinë se në asnjë mënyrë nuk do të jenë nën logon e Bashës. Më 27 dhjetor, kur të konfirmohet eventualisht çështja e logos, mund të kemi dinamikë tjetër, mund të kemi një riorientim të ri. Mund të kemi dinamikë të re”, theksoi ai./abcnews.al