Ajo që ndodhi në fundjavë nuk të jep aspak zemër.
Një shkatërrim 0-3 në shtëpi nga një rival aspak i frikshëm si Bournemouth është gjëja më e keqe që mund të ndodhë, aq më tepër para sfidës vendimtare në Champions.
Mançester Junajtid e pret në kushte të tilla duelin ndaj Bajernit në “Old Trafford”, I ndërgjegjshëm që as fitorja mund të mos mjaftojë.
“Djajtë e kuq” u stërvitën këto ditë duke e ditur se janë në vend të fundit, dhe që shpresa e vetme është fitorja dhe që dueli tjetër i grupit, Copenhagen-Galatsaray të dalë barazim.
Kombinim shumë i vështirë për të ndodhur.
Në dyshim janë Rashford e Martial, ndërsa Erikssen, Casemiro dhe Lisandro Martinez janë mungesa të sigurta, ashtu si Mason Mount. Në ekip kthehen Lindelof e Varane.
A do të kualifikohet United?
“Unë nuk e di. Unë di vetëm që unë kurrë nuk e mendoj të keqen. Ne mendojmë vetëm më të mirën. E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet që të fitojmë për të qendruar në Europë, kjo është e gjitha. Do ta përgatisim ekipin me këtë mendim, me këtë besim”.
Bayern nuk është aspak në moment më të mirë, por ndryshimi me anglezët është i madh. Gjermanët janë të kualifikuar dhe kanë siguruar vendin e parë.
Gjithsesi, edhe ata pësuan një humbje katastrofike këtë fundjavë, teka u mundën me rezultatin, 1-5 në Bundesliga nga Eintracht Frankfurt, dhe besimi padyshim që është përtokë.
Trajneri Tuchel ka më pak mungesa, me De Ligt e Gnabry që janë jashtë me dëmtime, megjithatë, tekniku gjerman e vlerëson shumë kundërshtarin.
“Po flasim për një skuadër që është gjithmonë e rrezikshme. Këtë e di nga përvoja ime. Nuk është e lehtë të luash ndaj Manchester United dhe kjo ka të bëjë me mentalitetin. Ata dinë t’i luajnë ndeshjet e mëdha, është pjesë gjenetike e klubit, dhe dinë t’i kalojnë momentet e vështira”.
Bayern kryeson grupin A me 13 pikë, Copenhagen e Galatasaray kanë nga 5, ndërsa United vetëm 4 pikë. /abcnews.al