Një bisedë e shkurtër, por intensive, ishte ajo e Presidentit Volodymyr Zelensky, me Orban që kërkon të bllokojë aspiratat e Ukrainës për anëtarësimin në bllok, madje edhe ndihmat e Europës për Kievin.
Ai u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orban në inaugurimin e Presidentit të ri argjentinas ditën e dielë. Vetëm lexuesit profesionistë të buzëve mund ta kenë kuptuar bisedën mes Zelenskyt dhe “djalit të keq të BE-së”, siç e kanë quajtur, por shkëmbimi vjen teksa Orban ka kërcënuar të vendosë veto ndaj një pakete mbështetëse prej 50 miliardë dollarësh për Kievin dhe negociatave për zgjerim, gjatë samitit të 14 dhe 15 dhjetorit në Bruksel.
Zelensky spoke briefly with Hungary's Orban during the inauguration of the President of Argentina. pic.twitter.com/YUH8m4ptq3
— Clash Report (@clashreport) December 10, 2023
I konsideruar si zëdhënësi i Putinit në Europë, Orban e cilësoi Ukrainën si shtetin më të korruptuar në botë: “Hungaria është fqinj i Ukrainës dhe ne e dimë se çfarë po ndodh. Ukraina është një prej shteteve më të korruptuara në botë”.
Samiti i BE nuk është i vetmi zhvillim i rëndësishëm i javës për Ukrainën. Zelensky do të vizitojë të martën Uashingtonin në përpjekjen për të shpëtuar paketën prej 60 miliardë dollarësh, që Kongresi e ka bllokuar. John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë, tha: “Nuk jemi në pozitat për t’i premtuar gjë Ukrainës, duke parë situtatën në Kapitol”.
Presidenti amerikan Joe Biden po i bën thirrje ligjvënësve të aprovojnë fondet, por ndihma ka mbetur peng e debateve të brendshme politike. Republikanët kanë refuzuar t’i japin dritën jeshile, mes këmbënguljes për të siguruar më shumë para për kontrollin në kufirin me Meksikën.
Për Zelenskyn, kjo do të jetë vizita e dytë në Shtëpinë e Bardhë që prej nisjes së luftës ruse në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
/abcnews.al