“Rruga vaginale më e përshtatshme për të hequr mitrën”, Mjeku Haxhihyseni: Shqetësimet pas operacionit vijnë nga vezoret

schedule10:01 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 10:01 - 4 Dhjetor, 2023

Mjeku, Arben Haxhihyseni ka folur këtë të hënë në emisionin “ABC e Mëngjesit” për problemet gjinelogjike në moshat e treta. Ai theksoi se asnjëra nga gratë që ka hemoragji post menopauzës nuk duhet ta neglizhojë, sepse është dhe një nga shenjat e kancerit të mitrës.

Sa i përket heqjes së mitrës, Haxhihyseni deklaroi se ka tre mënyra që mund të realizohet, por rruga vaginale është më e përshtatshmja.

Sakaq, ai tha se shqetësimet pas operacionit vijnë nga vezoret, jo nga heqja e mitrës, prandaj nuk duhet të shqetësohen pacientët.

“Ekzistojnë tre teknika për të hequr mitrën. E para, duke çarë barkun, e njohur si prerja e barkut, teknika me sonda, me katër ose pesë sonda shfrytëzohen zakonisht për të hequr mitrën dhe rruga vaginale.

Rruga vaginale ka të gjitha epërsitë e mundshme, krahasuar me dy rrugët e mësipërme. Në qoftë se mjeku është i kualifikuar në rrugën vaginale, atëherë është rruga më e përshtatshme.

Ajo që kanë frikë njerëzit dhe thonë që mbas heqjes së mitrës ka shqetësime, në thelb shqetësimet nuk janë nga heqja e mitrës, shqetësimet janë nga heqja e vezoreve. Sepse vezoret, janë organe endokrine, siç është tiroidja, dhe prodhojnë hormone femërore. Në qoftë se vezoret nuk hiqen, cikli i brendshëm hormonal mbetet po njësoj dhe gruaja nuk ka shqetësime pas operacionit, kurse në qoftë se vezoret hiqen, atëherë ndodh menopauza kirurgjikale. Në 40-50% të rasteve, gruaja mund të ketë shqetësime të bezdishme, si afshe të nxehta, skuqje fytyre, mund të rritet pak tensioni, nervozitet, pagjumësi etj. Kështu që në rastin kur bëhet heqja e mitrës dhe vezoret janë të shëndetshme, të pasëmura, edhe gruaja do të ketë ciklin hormonal rregullisht”, u shpreh mjeku./abcnews.al