Ka përfunduar, në Hamburg, të Gjermanisë shorti i fazës së grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku për fatin tonë të keq, Kombëtarja është pozicionuar në grupin B, ku së bashku me “legjionarët” ndodhen “iberikët” e Spanjës, vendi i 3-të i Botërorit të Katarit, Kroacia, si dhe Italia, kampione e Evropës në fuqi.
Pas përfundimit të hedhjes së goglave, tekniku i Kombëtares spanjolle, Luis de la Fuente, ka folur për shortin e Euro 2024, me skuadrën e tij të shortuar në të ashtuquajturin “grupin e vdekjes”.
“Nëse nuk është grupi më i vështirë, është një nga më të vështirët. Nuk do të them atë fjalinë klishe, që të gjitha skuadrat janë të vështira, por pa dyshim që është një grup shumë u fortë.
Italia është kampione e Europës, Kroacia kualifikohet gjithmonë në faza të avancuara dhe megjithëse nuk janë në maksimumin e tyre, janë skuadra historike. Dhe nuk duhet harruar Shqipëria, e para në grupin e saj. Asnjë ekip nuk dëshiron të përballet me Italinë. Edhe Kroacia është një skuadër që ne e njohim mirë nga finalja e Ligës së Kombeve, ka arritur rezultate spektakolare dhe ka lojtarë të mrekullueshëm.
Ne po shkojmë në Evropian me bindje të madhe dhe në një progres të qartë. Jemi në formë të mirë, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Duhet të mendojmë për Kroacinë, por gjëja themelore gjatë kësaj kohe është të vazhdojmë të rritemi. Ne kemi potencial. E dimë që jemi ndër më të mirët në botë”,- u shpreh tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al