Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Sevillas, Dani Alves, nuk do t’i shpëtojë gjyqit për përdhunimin e dyshuar të kryer në dhjetor të vitit të kaluar, pasi prokuroria refuzoi marrëveshjen e ofruar nga mbrojtja e tij.
Raporti i fundit mbi këtë çështje nga gazeta katalanase “Sport”, thotë që mbrojtja e Alves e përbërë nga dy avokatë ka hapur bisedimet me prokurorinë.
Sidoqoftë, prokurorja ka refuzuar çdo sugjerim për një marrëveshje të mundshme.
Prokuroria e këtij rasti, Ester Garcia, ka lëshuar një njoftim zyrtar duke mohuar ndonjë marrëveshje me kampin e Alves dhe duke shtuar se dëmi mendor dhe pasojat janë të pariparueshme dhe arritja e një marrëveshjeje është pothuajse e pamundur. Kjo për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve në lidhje me seriozitetin e fakteve dhe dënimet që do të shqiptohen.
Alves është duke u përballur me akuza për përdhunim që mund të bëjnë që braziliani të shkojë në burg për nëntë vite. Avokatët e Alves kanë kërkuar lirimin e tij me kusht, por kjo kërkesë e tyre është refuzuar në çdo rast, teksa ai ka dëshmuar para gjyqit në katër raste.
Braziliani ka qenë prapa hekurave që nga janari i këtij viti dhe tani do të përballet me një seancë gjyqësore./ h.ll/abcnews.al