Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të zakonshme dhe më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë. Në nivel global, rreth 736 milionë gra gati një në tre, kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga një partner, ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre.
Kjo plagë është intensifikuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë vendet e punës dhe dëshmitë sugjerojnë se është përkeqësuar që nga pandemia Covid-19.
Të trishta janë edhe dëshmitë që tregojnë se 25% e të anketuarve justifikojnë faktin që një burrë mund të rrahë gruan e tij. Në të njëjtën kohë, raporti i OKB-së thekson se numri i grave dhe vajzave të vrarë në mbarë botën në vitin 2022 është rritur në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.
Rreth 89,000 gra dhe vajza u vranë vitin e kaluar, sipas UN Women, e cila mbulon çështjet e grave dhe UNODC.
Por pse 25 Nëntor?
Në vitin 1981, Kombet e Bashkuara zgjodhën të caktojnë 25 Nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Zgjedhja nuk ishte aspak e rastësishme.
Gjithçka filloi në vitin 1960. Patria, Minerva dhe María Teresa Mirabal, tre motra nga një familje e klasës së mesme, të gjitha të martuara me fëmijë mund të mos ishin dukur si revolucionare, por ato jetonin në diktaturën brutale të Republikës Domenikane Rafael Trujillo.
Në vitin 1950, motrat Mirabal rrezikuan jetën e tyre për të punuar. Gjatë 31 viteve të Trujillos në pushtet, regjimi shtypi me dhunë liritë civile dhe personat që nuk i bindeshin.
Motrat Mirabal ndihmuan në organizimin dhe zhvillimin e lëvizjes së fshehtë që sfidonte regjimin dhe u arrestuan vazhdimisht për aktivitetet e tyre. Minerva injoroi frikën e aleatëve të saj, duke thënë: “Nëse më vrasin, unë do të zgjas duart nga varri dhe do të jem më e fortë”.
Ajo e përmbushi premtimin e saj. Vrasja e tre motrave 36, 34 dhe 25 vjeç, më 25 nëntor 1960, zemëroi opinionin publik dhe ishte një shkas kyç për vrasjen e vetë Trujilos gjashtë muaj më vonë nga një grup disidentësh.
Pas tranzicionit në demokraci në fund të viteve 1970, Fluturat, siç i quajnë domenikasit motrat Mirabal, u bënë simbole të rezistencës demokratike dhe feministe.
Motra e katërt, Dede, e cila ishte më pak e përfshirë në rezistencë, i mbijetoi regjimit dhe ndihmoi në vazhdimin e trashëgimisë së motrave të saj deri në vdekjen e saj në 2014, duke krijuar një fondacion dhe muze në emër të tyre.
OKB-ja caktoi datën e vdekjes së tyre në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
/abcnews.al