Ekspertët besojnë se kanë identifikuar më në fund objektin që goditi hënën më 4 mars 2022, duke lënë pas dy dhe jo një krater. Një ekip inxhinierësh nga Universiteti i Arizonës thotë se ishte trupi i një rakete Long March 3C që u refuzua nga misioni i Kinës Chang’e 5-T1 në vitin 2014.
Krateri i dyfishtë ka shumë të ngjarë të jetë krijuar, besojnë shkencëtarët, për shkak të një ngarkesë shtesë në raketën që nuk ishte në listën zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Hapësirës së Kinës (CNSA), shkruan Science Alert.
Do të jetë e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë lloj ngarkese ishte pa një inspektim më të afërt, gjë që është pak e ndërlikuar duke marrë parasysh se krateret janë në anën “e kundërt” të Hënës nga ne, që nuk mund të shihen kurrë drejtpërdrejt nga Toka. Kjo është hera e parë që ne kemi parë një krater të dyfishtë,” tha inxhinieri i hapësirës ajrore Tanner Campbell nga Universiteti i Arizonës.
“Ne e dimë se Chang’e 5 T1 goditi drejt e poshtë, dhe për të krijuar dy kratere me përafërsisht të njëjtën madhësi, duhen dy objekte të veçanta me masë afërsisht të barabartë,” shtoi Campbell.
Astronomët gjurmuan objektin, të quajtur WE0913A, nga zbulimi i tij në mars 2015 deri në rënien e tij përfundimtare në sipërfaqen hënore vitin e kaluar. Fillimisht u supozua se ishte shtytësi i anijes kozmike SpaceX, por më vonë u konstatua se objekti misterioz i përket misionit kinez të vitit 2014.
Në kërkimin e ri, shkencëtarët analizuan trajektoren e objektit të paidentifikuar dhe ndryshimet në dritën e tij të reflektuar pak para goditjes, në mënyrë që të zbulonin se çfarë ishte saktësisht.
Të dhënat treguan masë ose ngarkesë shtesë, që vepron si kundërpeshë ndaj motorëve në njërën anë të raketës, gjë që shpjegon kraterin e dyfishtë. CSNA nuk shpjegoi natyrën e barrës shtesë. Madje, përkundrazi, ajo mohoi se ishte raketa e tyre.
“Ne nuk e dimë se çfarë mund të ketë qenë. Mund të ketë qenë një strukturë shtesë mbështetëse, një instrument shtesë apo diçka tjetër. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë,” thotë Campbell.
Nuk ka asgjë të pazakontë në lidhje me hedhjen e raketave në anije kozmike gjatë një misioni, as për goditjen e tyre në Hënë. Por kjo situatë është një tjetër kujtesë se mbeturinat hapësinore po bëhen një problem më i madh. Hulumtimi u botua në revistën “Planetary Science”.