Berisha nuk shkon në gjykatë/ Përnaska: Puna e SPAK është pozitive. Kur drejtësia flet, politika hesht

schedule13:47 - 21 Nëntor, 2023

schedule 13:47 - 21 Nëntor, 2023

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska thotë se puna e SPAK është pozitive, bazuar edhe në perceptimin e qytetarëve.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Përnaska u shpreh se kur drejtësia flet, politika hesht, duke iu referuar rastit të ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka refuzuar të paraqitet në gjykatë, për dy masat e sigurisë të dhëna ndaj tij.

“Percepitimi i opinionit publik për reformën në drejtësi, për mënyrën sesi funksionon SPAK është pozitiv. Për mua, ka rëndësi perceptimi qytetar. SPAK po funksionon, po jep efektet e veta, por sigurisht që nuk është i përsosur, ka nevojë për përmirësim. Kush nga institucionet shqiptare është i përsosur, ky parlament që pamë? Këtë nuk e vendosim ne, këtë e vendosin institucionet. Ne flasim për demokraci. Demokracia ka në themel shtetin ligjor, në shtetin ligjor të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Kur flet drejtësia, politika hesht. Unë dua të shoh sa më parë vendin tim në BE, nuk më intereson politikani i radhës. Edhe kryetarët e partive janë të përkohshëm. Unë jam e insteresuar, si qytetare në radhë të parë, që e djathta të gjejë dhe të shfrytëzojë mundësitë për t’u riorganizuar. Është thyer raporti i besimit të qytetarit me Partinë Demokratike”, theksoi ajo./abcnews.al