Brazili ka regjistruar temperaturën e tij më të nxehtë ndonjëherë 44.8 gradë celcius. Rekordi u shënua të dielën në qytetin Araçuaí, në shtetin juglindor Minas Gerais. Ky mot i është atribuar fenomenit El Niño dhe ndryshimeve klimatike. Parashikuesit thonë se temperaturat pritet që të ulen këtë javë.
Sipas Institutit Kombëtar të Meteorologjisë (Inmet), vetëm tre kryeqytete shtetërore do të shohin temperatura që i afrohen 40 gradë Celsius, raportoi CNN Brasil. Agjencia qeveritare tha se niveli i lartë i Araçuaí prej 44.8C kishte mposhtur rekordin e mëparshëm të vendit prej 44.7C, i matur në 2005.
Vapa ka shkaktuar alarme të kuqe në të gjithë vendin, një muaj para fillimit të verës në hemisferën jugore. Temperaturat e larta bënë që këngëtarja Taylor Swift të anulonte një nga koncertet e saj në Rio de Zhaneiro pasi një fanse u sëmur dhe vdiq të premten.
Hulumtimi zyrtar i publikuar dy javë më parë tregoi se temperatura mesatare në vend kishte qenë mbi mesataren historike nga korriku deri në tetor. Moti ekstrem po bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në shumë vende të botës për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende dhe kjo pritet të vazhdojë ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të lëshojnë gazra serë që ngrohin planetin.
Ndërkohë, Toka është aktualisht në një fazë moti El Niño, kohë gjatë së cilës temperaturat globale zakonisht rriten./abcnews.al