Barazimi ndaj Ishujve Faroe ka mjaftuar, që “shqiponjat” tona ta mbyllin në vendin e parë të grupit E, këtë “aventurë”, në fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku për herë të dytë në histori “Legjionarët” tanë sigurojnë një vend në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor të Kombëtareve.
Për mediat pas ndeshjes, disa fjalë i tha edhe “ylli” i mesfushës, Kristjan Asllani, i cili u shpreh se kundërshtari ishte i mbyllur shumë dhe nuk lejoi hapësira ndërsa shtoi se për atë nuk ndryshon asgjë nëse luan përkrah Ramadanit apo Bares.
“Nuk kërkonim barazimin, duhej të fitonim. Por ata luftuan shumë bënë presion lart, mirë që nuk e pësuam. Por, një barazim është në rregull. Përshtatja me Baren? Nuk ndryshon asgjë, duhet të vazhdojmë kështu.
Do të luftojmë të gjithë për të mbajtur vendin dhe të gjithë ata që nuk janë titullar, stërviten shumë mirë. Nuk po kuptonim si po luanin, kishte pak hapësira. Kam tentuar disa herë të gjeja Bajramin, por është e vështirë të vertikalizosh”,- u shpreh “lideri” i mesfushës “kuqezi”. /i.m /abcnews.al