BOKS/ Hysa, “fenomeni” 39-vjeçar, “veterani” i ringut po arrin majat pasi humbi 20 vjet karrierë

schedule15:56 - 18 Nëntor, 2023

schedule 15:56 - 18 Nëntor, 2023

Nuk është kjo shtëpia e një luftëtari të tillë.

Kur themi boksier mendojmë palestrën dhe ringun, ndërsa më të mirin e këtij sporti në Shqipëri e shohim që shkel në pistën e atletikës në kryeqytet.

Nelson Hysa, kampioni veteran shkodran shprehimisht është në fillimet e karrierës, edhe pse ka mbushur 39 vjeç.

Njeriu që ka fituar titullin e vendeve baltike në federatën WBC, dhe që është numri 1 kuqezi në renditjen botërore profesionte, thotë se çfarë ndodhi që solli mrekullinë, ndërsa flet për ABC News.

“Kam rreth 1 vit që stërvitjem në mënyrë profesionale, me profesor Taulantin edhe si të gjithë kërkova dhe si të gjithë kërkova ndihmë te profesori e si gjithmonë, ai i ndihmon sportistat dhe më ka dhënë ndihmën më të madhe, teksa formën më të mirë të karrierës time e kam këto kohë, që po kaloj dhe po stërvitem me profesor Taulantin”.

Është pikërisht atletika, dhe jo boksi që paska pasur rolin vendimtar.

“Të them të vërtetën kam qenë më shumë i dhënë pas atletikës, e thënë më ndryshe 70% e punës sime bazohet tek atletika, pasi oksigjenimi i mirë i trupit dhe oksigjenimi i mirë i muskujve është pjesë e asaj që ne paraqesim në ring. Më përpara kam qenë në boksin olimpik dhe boksi olimpik është me 3 raunde, ndërsa në boksin profesionist arrij të bëj deri në 10 raunde në ndeshje, pa patur asnjë problem”.

Ndërkaq, nuk mund të mungojë puna në ring.

Nelson Hysa ka këtë të shtunë sfidën për mbrojtjen e titullit të vendeve Baltike, ndërsa është I 69-ti në botë.

Ndër emrat e tjerë shqiptarë do të jenë Denis Nurja, Alban Bërmeta, Alban Kajoshi, Mikel Çullhaj dhe Senad Drini.

“Si unë edhe kundërshtari im, jemi në nivel të lartë, në boksin profesionist. Si unë ashtu edhe shokët e mi jemi munduar ti zgjedhim ndeshjet më të mira. Do jenë boksierët më të mirë të Shqipërisë, të ndërthurur, moshat e reja, bashkë me eksperiencën dhe presim të zhvillojmë një nga aktivitetet më të mira që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Është një ndeshje për titullin WBC, për vendet Baltike”.

Sa keqardhje ka kampioni që suksesi po vjen kaq vonë?

“Ata që thonë mosha është numër di t’iu them se as numër nuk është. Po kaloj një formë shumë të mirë, me thënë të vërtetën. Në sport nuk është asnjëherë vonë, varet çfarë qëllimesh ke, se sa larg do të shkosh e sa punon për të shkuar atje. Unë besoj se Shqipëria ka shumë talente në boksin profesionist dhe nuk do të vonojë momenti kur në vendin tonë, të ketë shumë tituj evropian e botëror”.

Deri ku mund të arrijë Nelson Hysa? Ndoshta brenda 10-es së botës?

“Dhjetshja e botës është shumë e vështirë për t’u arrirë. Janë shifra shumë të mëdha, por pse jo 20-shen e siguroj. Jam prej 23 vitesh kampion i Shqipërisë, në peshat e rënda, jam medalja e parë në boksin olimpi, për Shqipërinë dhe gjithashtu jam i pari boksier, në peshën super të rëndë, që marr titullin në Federatën e WBC”. /abcnews.al