Shqiptarët konvertojnë kreditë në lekë/ Banka e Shqipërisë: Shkak, luhatjet e kursit dhe normat e interesit

schedule14:06 - 17 Nëntor, 2023

schedule 14:06 - 17 Nëntor, 2023

Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po preferojnë që  kreditë ti kenë në monedhën shqiptare. Kjo ka bërë që sjellë  rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit në 46%, në nivelet më  të larta historike.

Nga një studim i Bankës së Shqipërisë rezulton se gjatë këtij viti është vërejtur se tendencë e fortë ka qenë zhvendosja e portofolit të kredisë për biznese nga kredia në valutë – kryesisht euro – në kredi në lekë. Shkak për këtë ka qenë diferenca në rënie midis interesave në lekë dhe atyre në euro, por edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Në fund të muajit shtator, kredia në valutë ishte 1.3% më pak se një vit më parë.

Rezulton se kredia në lekë u rrit me 16 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, ku efekti i konvertimit të kredive nga euro në lekë ka ardhur duke u theksuar nga muaji maj dhe në vazhdim. Në fund të muajit shtator, kredia në lekë për biznese shënonte një zgjerim vjetor prej 7.6%, ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 1% e gjashtëmujorit të parë të vitit.

Në ngjashmëri me tendencat e vërejtura tek bizneset, kredia në valutë e individëve është ngadalësuar duke zbritur në 13.9% në tremujorin e tretë, nga një mesatare prej 21% në gjashtëmujorin e parë. Edhe individët kanë zgjedhur të mbyllin para kohe një pjesë të kredisë në valutë – kryesisht në euro – dhe i kanë zëvendësuar ato me kredi në lekë.

Faktorët kryesorë që kanë mbështetur këtë zhvendosje kanë qenë mbiçmimi i monedhës vendase, normat më të ulëta të interesit të kredisë hipotekare në lekë krahasuar me atë në euro, si dhe lehtësirat rregullative për ndryshimin e monedhës pa penalitet. Paralelisht, kredia në lekë për individë ka shfaqur përmirësim të normave të rritjes, të cilat arritën në 12.6% në tremujorin e tretë nga 8% një tremujor më parë.

Vendet e Ballkanit vijojnë të krahasohen më mirë kundrejt vendeve të Evropës Qendrore përsa i përket ecurisë së kredititmit dhe Shqipëria renditet ndër vendet me norma ende të larta të rritjes së kredisë./abcnews.al