Presidenti rus Vladimir Putin nuk fajëson homologun e tij Donald Trump për nivelin e ulët të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës. Në një intervistë për mediat arabe, Putin ka deklaruar se shkak për gjendjen në të cilën raportet dypalëshe ndodhen është politika e brendshme amerikane.
Moska nuk fajëson presidentin Donald Trump për dështimin në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Deklarata është bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, në një intervistë për televizionet arabe.
“Ne e dimë që edhe gjatë fushatës së mëparshme elektorale të tij ai foli në favor të normalizimit të marrëdhënieve, por për fat të keq një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende”, ka thënë Putin për televizionet “Al Arabia”, “Skaj Njuz Arabia” dhe “Radio Televizionin Arab”.
“Por ne nuk kemi pretendime pasi të gjithë po e shohim se çfarë po ndodh në politikën e brendshme amerikane”, ka shtuar Putin.
Kreu i Kremlinit është shprehur se, pikërisht agjenda e brendshme politike nuk po lejon Trump që të ndërmarrë hapat në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Megjithatë, ai ka theksuar se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane, në çdo nivel që vetë Uashingtoni të dëshirojë. Ndër të tjera, Putin ka deklaruar se Rusia ka armatime që mund të neutralizojnë çdo kërcënim që vjen nga raketat e NATO-s të vendosura në Poloni dhe Rumani.
“Këto raketa sigurisht që përbëjnë kërcënim për ne, pasi janë pjesë e një përpjekjeje për të ulur potencialin tonë bërthamor. Por nga ana tjetër është mëse e qartë se kjo përpjekje do të dështojë”, ka shtuar Putin.
Intervista e presidentit rus u transmetua ditën e diel, në prag të vizitës së tij për në Arabinë Saudite, më 14 tetor. /ABC News Albania 24/7