Mauricio Pochettino mund të largohet nga drejtimi i Tottenham. Nisja jo e mirë e këtij sezoni ka bërë që pozicioni i tij të lëkundet. Gjithsesi ka një kontratë në mes dhe drejtuesit e klubit londinez nuk e kanë të lehtë ta shkarkojnë, pasi duhet të paguajnë më shumë se 30 milionë euro më pas.
Së fundmi në Angli aludojnë mbi një tjetër emër që mund pasojë dhe e gjithë zhurma është krijuar pas një interviste që Santiago Solari ka dhënë për BBC. “Do të doja të drejtoja në Europë, të bëhesha pjesë e një projekti serioz në një nga ligat e mëdha.
E ndoqa kampionatin anglez vjet dhe e pashë se sa shumë është rritur. Ka kaq shumë kultura të ndryshme aty, keni trajnerë spanjollë, gjermanë, anglezë, trajnerë nga e gjithë bota që e kanë bërë Premier League-n të rritet”, thotë Solari, i cili ka drejtuar Realin e Madridit dhe në Angli besojnë se me cilësitë që ka mund të drejtojë klube si Tottenhami dhe Evertoni.
Në artikull vihet në dukje fakti që Solari është i “fiksuar” pas kampionatit anglez, të cilin e ndjek me vëmendjes. “Statistikat në Premier League janë mahnitëse dhe konfirmojnë së gjërat po ndryshojnë. 15 vite më parë kishte vetëm tre ndeshje kur një ekip mesatarisht mbante në 70% të kohës topin. Para tre vitesh kjo shifër shkoi në 30 ndeshje. Dy vite më parë ishin 60 ndeshje dhe sezonin e shkuar 67.”, është shprehur argjentinasi.
Në fund flet edhe për bashkatdhetarin e tij te Tottenham: ” Nuk e kam mik Pochettinon, por e njoh dhe e admiroj për atë që bëri një vit më parë dhe në vitin paraardhës. Nuk ka të bëjë me faktin që thjesht shkoi në finalen e Champions League. Ishte diçka që ishte rritur në 4-5 vite. Do të doja ta shihja atë në një klub të madh shumë shpejt, pasi e meriton. /abcnews.al