Rruga drejt Euro 2024, “legjionarët” nisin sot përgatitjet për dy “finalet” e mbetura

schedule09:56 - 13 Nëntor, 2023

schedule 09:56 - 13 Nëntor, 2023

“Legjionarët” e Kombëtares sonë do të zhvillojnë brenda 7 ditëve, dy sfidat “finale”, siç i quan edhe tekniku Sylvinho, të fazës kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ndaj Moldavisë, më 17 nëntor, në Çisinau dhe ndaj Ishujve Faroe, më datë 20 nëntor, në mitikun “Air Albania”, ku vetëm 1 pikë, nga këto 2 sfida mjafton që “kuqezinjtë” tanë të prejnë një biletë drejt Gjermanisë, aty ku do të zhvillohet dhe faza finale e kompeticionit.

Këtë të hënë pritet që grupi me 24 lojtarët e thërritur nga tekniku Sylvinho të plotësohet përfundimisht, me grumbullimin, që ka nisur, që ditën e dielën, ku ndër lojtarët e parë që mbërritën në Tiranë ishte dhe “heroi” i sfidave ndaj Polonisë, Çekisë e Moldavisë, Jasir Asani.

Përsa i përket përgatitjes për përballjen ndaj Moldavisë, gjithçka do të nisë mesditën e sotme e më konkretisht në orën 15:00, ku nga teknikut Sylivnho pritet që të implementohet një seancë e lehtë stërvitore, për të mos ngarkuar më shumë lojtarët, pas sfidave që kanë zhvilluar gjatë fundjavës me klubet respektive.

Ndërkaq, siç ka njoftuar më herët dhe Federata Shqiptare e Futbollit, në orën 13:00 do të zhvillohet edhe një konferencë për shtyp, në kuadër të këtyre dy përballjeve, ku do të marrin pjesë dy nga “legjionarët” e Kombëtares. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!