Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të nisë këtë muaj seancat e hapura për publikun sa i takon vetingut në polici. Pas hedhjes së dy shorteve të para mbi ndarjen e trupave vlerësuese, caktimin e anëtarit zëvendësues dhe anëtarit relator, si edhe shortimin për subjektet e vlerësimit, trupat e vlerësimit janë drejt përfundimit të dosjeve përkatëse në të tre shtyllat e vlerësimit për 9 subjekte.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon me përparësi punën për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar të subjekteve të përcaktuar nga ligji nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar.
Pas hedhjes së dy shorteve të para mbi ndarjen e trupave vlerësuese, caktimin e anëtarit zëvendësues dhe anëtarit relator, si edhe shortimin për subjektet e vlerësimit, Trupat e Vlerësimit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore janë drejt përfundimit të dosjeve përkatëse në të tre shtyllat e vlerësimit për 9 subjekte.
Përgjatë muajit nëntor 2023, do të mbahen seancat e hapura në prani të medias dhe publikut.
MB dhe AMP siguron median dhe publikun se procesi i Vetingut vijon në mënyrë të pandërprerë, në zbatim të plotë të afateve të përcaktuara në ligj dhe në përmbushje të pritshmërive të publikut për institucione me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve./abcnews.al