Shkëlqeu ndaj Salzburg, Asllani: Këtë vit ndihem më mirë, ishte një fitore e madhe

schedule09:23 - 9 Nëntor, 2023

schedule 09:23 - 9 Nëntor, 2023

Inter fitoi ditën e djeshme ndaj Salzburg me rezultatin 0-1, ku autori i golit ishte Lautaro Martinez falë goditjes së penalltisë.

Ndeshje e madhe ishte edhe për talentin shqiptar, Kristjan Asllani i cili u aktivizua në minutën e 61’ të pjesës së dytë. Asllani menjëherë filloi të komandonte në mesfushë, duke dhënë topa të saktë e të mrekullueshëm për shokët e tij të skuadrës. Gjithashtu Asllani pati edhe një shans të artë për të shënuar, pasi elbasanasi goditi nga distanca, por portieri kundërshtar e priti mrekullisht e me pak fat atë goditje.

Pas përfundimit të ndeshjes, Kristjan Asllani foli për mediat.

“Këtë vit ndihem më mirë në shumë gjëra, falë shokëve të skuadrës që më ndihmojnë në çdo seancë stërvitore.

Sot ishte një fitore e madhe, një lojë kyçe për të mos i lënë ata të ktheheshin në lojë. Ata janë të fortë, të rinj dhe vrapojnë shumë, me tifozët vendas që i ndihmuan dhe i shtynë përpara gjatë gjithë lojës. Falenderojmë tifozët tanë për mbështetjen e madhe”, ka thënë Asllani./h.ll/abcnews.al