Agjencitë e OKB bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës: Mjaft, kjo duhet të ndalet tani

schedule08:18 - 6 Nëntor, 2023

schedule 08:18 - 6 Nëntor, 2023

Krerët e agjencive kryesore të Kombeve të Bashkuara lëshuan një deklaratë të rrallë të përbashkët të dielën duke shprehur zemërim për numrin e viktimave civile në Rripin e Gazës dhe duke bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

“Për gati një muaj, bota e ka parë me tronditje dhe tmerr situatën në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze, ndërsa numri i jetëve të humbura dhe të shkatërruara rritet në mënyrë eksponenciale”, thuhet në tekst.

Drejtuesit e 18 agjencive, duke përfshirë UNICEF-in, Programin Botëror të Ushqimit dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, vlerësuan numrin në rritje të vdekjeve të luftës Izrael-Hamas, e cila u shkaktua nga sulmi i lëvizjes islamike palestineze në tokën izraelite më 7 tetor.

Në enklavën e vogël bregdetare palestineze, 9,770 njerëz janë vrarë, gati gjysma e tyre fëmijë, sipas qeverisë së Hamasit, pasi ushtria izraelite ka bombarduar pamëshirshëm enklavën që nga shpërthimi i konfliktit. Ndërsa mbi 1,400 njerëz u vranë në Izrael, kryesisht civilë, në sulmin e Hamasit, sipas autoriteteve izraelite.

Në Rripin e Gazës, “një popullsi e tërë është nën rrethim dhe sulm, të cilëve iu mohohet aksesi në nevojat absolute të jetës, bombardohet në shtëpitë e tyre, në strehimore, në spitale, në vendet e adhurimit. Kjo është e papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Shefat e agjencive të OKB-së po i bëjnë thirrje Hamasit të lirojë më shumë se 240 pengjet e rrëmbyer dhe dërguar në Rripin e Gazës më 7 tetor dhe që secila palë të respektojë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

Sasi më të mëdha ushqimi, uji, ilaçesh dhe karburanti duhet të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës dhe të arrijnë te popullata, veçanërisht anëtarët e saj më të cenueshëm, shtojnë ata.

“Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Kanë kaluar 30 ditë. Mjaft. Kjo duhet të ndalet tani”, përfundon teksti./abcnews.al