Von der Leyen: Mali i Zi duhet të përqendrohet plotësisht në procesin e anëtarësimit

schedule13:56 - 31 Tetor, 2023

schedule 13:56 - 31 Tetor, 2023

Mali i Zi tani duhet të përqendrohet tërësisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Podgoricë.

E pyetur se sa reale janë pritjet që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030, von der Leyen tha se nuk ka nevojë të pritet “nëse plotësohen kushtet”.

“Nuk ekziston kalendar i procesit të anëtarësimit në BE, por e rëndësishme është që të zbatohen reformat. E inkurajoj Malin e Zi që ta kalojë atë miljen e fundit dhe dyert do të hapen”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Zyrtarja evropiane tha se procesi i zgjerimit është ndër prioritetet kryesore të KE-së, dhe Mali i Zi për një kohë të gjatë ka qenë shteti që ka bërë më së shumti përparim në rrugën drejt anëtarësimit. Ajo lavdëroi Malin e Zi për përshtatjen 100 për qind me politikën e jashtme dhe sigurisë të BE-së.

Mali i Zi është shteti i vetëm në mesin e shteteve kandidate që ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Megjithatë, që nga viti 2017, Podgorica nuk ka mbyllur asnjë kapitull negociues. Në raportin e vitit të kaluar të Brukselit u tha se autoritetet në Mal të Zi nuk kishin shfaqur përkushtim për agjendën e BE-së.

Presidenti Jakov Millatoviq tha se kupton qëndrimin kritik të BE-së të shprehur në raportin e vitit të kaluar të KE-së dhe në një rezolutë të miratuar së fundi nga Parlamenti Evropian.

“Shpresoj që ne kemi mësuar nga kjo, në kuptimin që pas një periudhë të gjatë kohore të dinamikave të pakënaqshme, tani janë krijuar kushtet për të përshpejtuar procesin edhe më fuqishëm”. Millatoviq tha se eshte optimist që Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së para vitit 2030.

Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin e ri të Malit të Zi, Millojko Spajiq. Ajo më pas do të vazhdojë turneun e saj ballkanik me vizita në Beograd dhe Sarajevë. Paraprakisht, von der Leyen vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën./rel/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!