Ndërsa shtohen viktimat, rritet edhe urrejtja mes izraelitëve dhe palestinezëve

schedule19:22 - 26 Tetor, 2023

schedule 19:22 - 26 Tetor, 2023

Viktimat, që kanë arritur me mijëra, vazhdojnë të shtohen dhe imazhet tragjike nga të dyja palët e konfliktit të Gazës po qarkullojnë në mediat sociale palestineze dhe izraelite, duke shtuar urrejtjen reciproke, e cila po rrënjoset më thellë ndërsa konflikti thellohet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, bisedoi me njerëz nga të dyja palët, në Izrael dhe në territoret palestineze.

Dhuna ka qenë e pandalur ndërsa avionët luftarakë izraelitë bombardojnë Gazën dhe Hamasi vazhdon të godasë me raketa Izraelin.

Në Bregun Perëndimor filluan protestat. Përplasjet mes forcave izraelite dhe palestinezëve lanë disa të vdekur. Për herë të parë në pothuajse 20 vjet, avionët izraelitë sulmuan një qytet në Bregun Perëndimor.

Në kufirin me Libanin, dhuna gjithashtu po rritet, duke i shtuar shqetësimet se një luftë e re mes Izraelit dhe Hezbollahut është gati për të filluar.

Qeveria izraelite publikoi video ku duken pamjet e filmuara nga kamera që mbante në trup një militant i Hamasit, ndërsa qëllonte me armë ndaj një automjeti civil, si dhe pamjet nga kamera brenda makinës. Zëri i Amerikës nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e videos.

Informacionin i pafiltruar dhe ndonjëherë i rremë ushqen urrejtjen e dyanshme që po bëhet më intensive dhe më e rrënjosur tek njerëzit nga të dyja anët e këtij konflikti.

“Këta fëmijë që shikoni, këta katërnjakë, prindërit e tyre pritën 16 vjet që t’i kishin; tani janë vrarë. Çfarë i bënë këta fëmijë Izraelit?”, thotë Nadoosh Mohamed, banore në Ramallah.

Zonja Mohamad jeton larg Gazës, në një shtëpi të rehatshme në Ramallah. Ajo thotë se do të preferonte të kishte vdekur se sa të shikonte gjërat që i shfaqen në telefon çdo ditë. Pasi i ke parë këto, thotë ajo, është e pamundur të mendosh për të jetuar në paqe me një izraelit.

“Jemi ndryshe nga ata. E pamë trajtimin e Hamasit ndaj fëmijëve dhe trajtimin e Izraelit. Ajo çfarë thanë për djegien e fëmijëve nuk është e vërtetë. Hamasi i trajton pengjet shumë mirë”, thotë ajo.

Ajo e ka fjalën për një video të publikuar nga grupi militant Hamas, të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e konsideron grup terrorist. Në video pretendohet se Hamasi kujdeset mirë për fëmijët izraelitë që ka marrë peng. Përmbajtja e videos nuk është e verifikuar.

Prej disa ditësh, rrugët e qytetit Ramallah janë mbushur me njerëz që protestojnë kundër sulmeve izraelite në Gazë.

Në komunitetet izraelite pranë kufirit me Gazën, jeta pothuajse është ndalur. Në Ashkelon, qyteti më i madh pranë Gazës, janë të paktë njerëzit që dalin në rrugë. Sirenat nuk bien më aq shpesh sa në fillimin e luftës, por raketat vazhdojnë të vijnë nga Gaza me objektiv këtë qytet izraelit.

Përgjatë molit dikur plot me lëvizje, tashmë vetëm pak njerëz shfaqen në pasditen me diell.

Pas disa ditësh të mbyllur në shtëpi, Yana vendosi të dalë për një ecje së bashku me të dashurin e saj, Nikolay. Realiteti i tyre është krejt i ndryshëm nga i zonjës Mohamed, por çuditërisht tingëllojnë të ndërlidhur me urrejtjen që shprehin.

“Treguan videot e ushtarëve të marrë peng, të fëmijëve që i nxjerrin nga makinat; përdhunuan vajzat në sheshet e Gazës. Nuk mendoj se ka ndonjë dallim mes tyre. Janë të një lloji”, thonë Yana Ikonnikov.

Ashtu si zonja Mohamed, edhe Yana nuk mendon se do të jetë ndonjëherë e mundur, që izraelitët dhe palestinezët të bashkëjetojnë pas këtyre që ndodhën.

“Nuk mund të jetohet me ta në paqe. Në fund do të na vrasin. Ata i mësojnë fëmijët në shkolla se ne jemi armiqtë e tyre”, thotë ajo.

Yana e ka fjalën për videot që ka parë në mediat sociale ku pretendohet se shfaqen pamje në shkollat palestineze, ku fëmijët mësohen që t’i shohin izraelitët si armiq. Edhe ato pamje nuk janë të verifikuara.

Izraelitët dhe palestinezët janë rritur në një kulturë urrejtjeje dhe mosbesimi reciprok. Shumë njerëz nga të dyja anët e kësaj tragjedie, e shohin vdekjen dhe shkatërrimin, më shumë se ndonjëherë më parë, si zgjidhjen e vetme./VOA