Djali i Netanyahu në Miami, ushtarët izraelitë të revoltuar: “Ai po shijon jetën, ne në luftë”

schedule13:57 - 24 Tetor, 2023

schedule 13:57 - 24 Tetor, 2023

Djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është kritikuar pasi vazhdon jetën e tij në Miami, ndërsa 360,000 rezervistë izraelitë, ku shumë prej të cilëve jetojnë jashtë vendit, janë thirrur për të luftuar kundër Hamasit dhe për të mbrojtur atdheun e tyre.

Sipas Daily Mail, Yair Netanyahu ndodhet në Florida që nga prilli i kaluar, ndërkohë qindra izraelitë që ndodheshin jashtë vendit, hoqën dorë nga gjithçka, për t’u kthyer dhe për të kryer detyrën e tyre.

Yair zgjodhi të qëndronte në Miami pavarësisht vështirësive dhe momenteve të tmerrshme që po përjeton vendi i tij. Ky fakt ka revoltuar disa ushtarë izraelitë.

“Ai po shijon jetën e tij në Miami Beach, ndërsa unë jam në vijën e parë”, tha një ushtar vullnetar që shërben në frontin verior për The Times.

“Ne i lëmë punët tona, familjet, fëmijët tanë, për të mbrojtur popullin dhe vendin tonë, dhe ata që janë përgjegjës për këtë situatë jo”, u shpreh ai.

“Vëllezërit tanë, baballarët tanë, djemtë tanë, të gjithë shkojnë në vijën e parë, por Yair nuk është këtu. Kjo nuk ndihmon aspak për të pasur besim te lidershipi i vendit”.

Një tjetër ushtar i vendosur në kufirin e Gazës, shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij për mungesën e djalit të kryeministrit izraelit.

“Unë u ktheva nga SHBA-ja ku është puna, jeta ime, familja ime. Nuk kishte si të qëndroja atje dhe të braktisja vendin tim, popullin tim, në këtë moment kritik.

Ku është djali i kryeministrit? Pse nuk është në Izrael?’, shprehet ushtari.

Sipas tij, të gjithë izraelitët duhet të jenë të bashkuar dhe të pranishëm në këtë moment dhe sigurisht që nuk përjashtohet edhe djali i Netanyahut. Sipas Daily Mail, gjatë shërbimit të tij të detyrueshëm ushtarak, Yair Netanyahu kishte shërbyer kryesisht si zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç. Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!