Sfidat e bizneseve/ Eksperti: Mungojnë kreditë e dedikuara për sipërmarrjet e reja, të vogla apo të mesme

schedule14:40 - 23 Tetor, 2023

schedule 14:40 - 23 Tetor, 2023

Këtë të hënë në “Money Report” i diskutua për sfidat e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe se si ka qenë ecuria e tyre në këtë periudhë çmimesh. Për të folur për këtë çështje, ishte i ftuar në studio eksperti për zhvillimin e bizneseve Daniel Guçe, i cili tha se gjatë 2022-it janë krijuar mbi 15 mijë sipërmarrje të reja.

“Nëse i referohemi statistikave, gati 50 për qind e sipërmarrjeve janë në qarkun e Tiranës, të zhvilluara apo të regjistruara apo start up-eve të krijuara në vitet e fundit. Totali i regjistrit të sipërmarrjeve, marrin sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, është ajo që kryeson sepse janë gati 43 për qind e totalit. Kryesisht dominojnë shërbimet prandaj dhe në turizëm, qoftë akomodimi apo guida turistike, janë shërbime që i ofrohen në një paketë turistëve apo që lidhen me inovacionin. Start up-et që krijohen mundohen që të jenë qoftë për sa i përket aplikacioneve për të vizituar site dhe për të vizituar Shqipërinë apo të lidhura me operatorë të tjerë në sistemin e turizmit apo guest houses që synojnë turizmin gjithë vjetor. Prandaj përmenda turizmin tematik, ku bashkia e Tiranës është ajo që kryeson për sa i përket aktiviteteve që synojnë të përthithin turistë gjatë gjithë vitit.”, u shpreh ai.

Ai thotë se turizmi natyror ka pasur një ndikim pozitiv, dhe vetëm në dy vitet e fundit, janë shtuar shumë sipërmarrje që lidhen me këtë sektor.

“Turizmi natyror është ai që Shqipëria ofron shumë dhe do të thosha unike. Është një nga sektorët dominant dhe dy vitet e fundit gjejmë pjesën më të madhe të sipërmarrjeve. E lidh këtë dhe me destinacionet e reja turistike që janë krijuar që nga veriu deri në jug për të gjitha zonat e paeksploruara. Kur flasim sesa suportohen këto sipërmarrje, shikohet sa i përket taksave apo instrumentave financiarë që krijohen. Në fakt, investimet në infrastrukturë lidhen drejtpërdrejt me krijimin e sipërmarrjeve. Që domethënë dhe sa i përket samitit të Berlinit, ku javën e parë të nëntorit presim se çfarë do të nënshkruhet, marrëveshje që specifikohen mbi projekte që do të investohen në Shqipëri. E lidh këtë me infrastrukturën sepse ajo është elementi numër një që çon në krjimin e një sipërmarrje të re. Turizmi natyror mban një sipërmarrje gjithë vjetore aktive ndryshe nga turizmi bregdetar“, shtoi ai.

Sipas ekspertit, një ndër problemet kryesore që kanë sipërmarrjet e reja është raporti që ata kanë me bankat. Ai shtoi gjithashtu se në krahasim me vendet e rajonit, bankat shqiptare nuk ofrojnë kredi të dedikuara për sipërmarrjet e reja, të vogla apo të mesme që mund t’i ndihmojnë ato për t’u zhvilluar.

“Në fakt një nga problemet që kanë sipërmarrjet shqiptare është raporti që kanë ato me bankat e nivelit të dytë. Krahasuar me vendet e rajonit, nuk është se kemi normat më të mira që i jep mundësi sipërmarrjeve për t’u zhvilluar. Në përgjithësi ato që klasifikohen SME, futen tek sipërmarrjet që kanë një lloj risku për sa i përket aftësisë së shlyerjes dhe akumulimit që mund të kenë ndër vite. Kanë ngelur në këtë nivel, dhe bankat i shikojnë si skeptike. Pjesa tjetër është që krahasuar me bankat e rajonit, kemi normat më të larta të përqindjes së interesit sa i përket kredive dhe mungojnë kreditë që janë të dedikuara qoftë për sipërmarrjet start up apo për ato të vogla dhe të mesme që kanë nevojë për t’u zhvilluar.“, u shpreh eksperti./abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!