“Gardiani” kamerunaz i portës, Andre Onana u transferua me shumë bujë nga “zikaltërit” e Inter drejt “djajve të kuq” të Manchester United gjatë merkatos së verës, për shifrën e 47.2 milionë paundëve, mirëpo 27-vjeçari ende nuk po arrin që të shkëlqejë, me fanellën e “gjigandëve” anglezë.
Për performancat e “shtatlartit” të portës foli dhe tekniku Erik ten Hag, i cili, nga konferenca për shtyp në prag të sfidës me Sheffield United, u duk optimist për të ardhmen e Onana, në “Old Trafford”, si dhe për kohën që “gardianit” i duhet për t’u ambientuar me kalimin në Premier League.
“Ai e di dhe ne e dimë, që do të bëjë shumë më mirë. Çdo lojtar që vjen në Premier League i duhet një periudhë ambientimi, por ai duhet të rritet sigurisht. Portierët e mëdhenj të United si Peter Schmeichel dhe David de Gea e nisën jo shumë mirë.
Andre e di që është mirë të dish pak nga historia. Por ne jetojmë tani, jetojmë në të ardhmen dhe ai duhet të ndërtojë të ardhmen e tij duke dhënë shfaqje më të mira. Unë jam i sigurt se ai do ta bëjë. Ai e tregoi këtë te Barcelona, Ajax e Inter, ishte në një gjysmëfinale dhe finale të Champions League dhe jam i sigurt se do të japë një paraqitje të shkëlqyer”,- u shpreh tekniku holandez. /i.m /abcnews.al