“Pesëshja e madhe” do të zbarkojë të shtunën në Prishtinë dhe më pas në Beograd për atë që thuhet që jetë qëllimi kryesor për ti dhënë një shtytje vazhdimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan Gabriel Escobar, i Francës, Emmanuel Bonne, i Gjermanisë Jens Pletner dhe ai i Italisë, Francesco Talo.
Qëllimi i “pesëshes së madhe” do të jetë një përpjekje për të “ringjallur” dialogun pas sulmit e fund shtatorit nga terroristët serbë. Kjo u diskutua të premten në emisionin “Ballkan Update” me Linda Karadakun. Seb Bytyçi, profesor në London School of Economics, theksoi se delegacioni mund të vijë me disa propozime për implementimin e marrëveshjeve, por jo patjetër kërkohet përgjigje e menjëhershme.
Ai thotë se kjo mund të ndodhë për dy arsye. Së pari, hetimi për ngjarjen e Banjskës dhe e dyta për procesin zgjedhor në Serbi.
“Mendoj se ka gjasa që ky delegacioni perëndimor të vijë me disa propozime konkrete që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve mirëpo jo patjetër kërkohet përgjigje e menjëhershme nga Kosova dhe Serbia. Kjo për dy arsye, e para është procesi hetimor për sulmin e 24 Shtatorit dhe procesi zgjedhor në Serbi. Nuk mendoj se ka interes që t’i kërkohet Serbisë, nëse ka një propozim për një sekuencim të implementimit, do t’ju jepet palëve ai propozim dhe ndërkohë pritet përgjigja e palëve gjatë një periudhe disa mujore.”, theksoi ai.
Ai shton se Kosova duhet të dëshmojë, sikurse çdo herë tjetër, që ka gadishmërinë për implementim të marrëveshjes.
“Kosova duhet të tregojë gadishmërinë për implementim të marrëveshjes nëse ka pajtim edhe nga Serbia. Kosova duhet të tregojë ashtu siç ka dëshmuar edhe më herët rreshtimin pro perëndimor dhe këtu sa i përket marrëveshjes konkretisht unë nuk mendoj se Kosova do të pranojë ta implementojë marrëveshjen dhe zbatojë pikën 7 për vetëmenaxhim pa u pajtuar edhe Serbia që të implementojë marrëveshjen.“, përfundoi profesori./abcnews.al