Perëndimi me përpjekje të reja për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi

schedule15:26 - 17 Tetor, 2023

schedule 15:26 - 17 Tetor, 2023

Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të martën se i dërguari i posaçëm i bllokut për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të takohen të shtunën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.

“Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”, tha zëdhënësi Stano.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të martës se “procesi i dialogut duhet të rimendohet”, pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjet e Prishtinës për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë.

Por diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i tha Zërit të Amerikës javën që lamë pas se “zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, duke theksuar se 24 shtatori tregoi se nuk ka kohë për të humbur.
“Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, tha ambasadori Hovenier duke ju referuar marrëveshjes që u arrit në Bruksel me 27 shkurt dhe më pas në Ohër me 18 mars për normalizimin e marrëdhënieve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!