Dëshmia e amerikanit që i mbijetoi sulmit të Hamas: Më qëlluan dy herë, por ia dola  

schedule12:23 - 16 Tetor, 2023

schedule 12:23 - 16 Tetor, 2023

Një qytetar amerikan që ndodhej në Izrael ndihet me fat që doli i gjallë nga festivali ku terroristët e Hamasit bënë kërdinë, duke vrarë 260 njerëz. Liroy Alex, 28 vjeç, nga Çikago, ishte në festival me miqtë kur persona të armatosur të Hamasit u hodhën me parashutë në vendin e festivalit pranë kufirit të Gazës.

Alex në një intervistë për DailyMail tha se ai nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte dhe madje bëri shaka me miqtë e tij se ata mendonin se organizatorët po hidhnin fishekzjarre.

“Dëgjova goditje të forta në zonë dhe në fillim po bënim shaka se po hidheshin fishekzjarre. Por më pas organizatorët ndaluan muzikën dhe na njoftuan se po sulmoheshim me raketa”, tha Alex.

“Shumë shpejt e kuptuam që situata ishte shumë më e rëndë, pasi të shtëna armësh u dëgjuan në të gjithë festivalin. Filluam të vrapojmë për të shpëtuar veten ”, tha ai.

Qindra njerëz vrapuan nëpër fusha duke u përpjekur të shkonin te makinat e tyre. Aleksi kishte shkuar në festival me dy shokë. Në mënyrë të pabesueshme që të tre arritën të mbërrinin në automjetin e tij dhe të fshiheshin brenda, por terroristët e Hamasit i kapën.

“Hipëm në makinë, dhepamë një grup prej rreth 20 personash me motoçikleta duke bërë zigzage matanë rrugës.

Ata ishin të gjithë të armatosur. Në fillim nuk e kuptuam se çfarë ishte.

Aleksi po ngiste sa më shpejt që të shpëtonin.

“Ndërsa e ulëm shpejtësinë, pamë një burrë që ishtë plagosur. Në atë moment vendosa të kthehesha dhe terroristët filluan të qëllonin makinën tonë”.

Makina e Aleksit u godit me armë zjarri, duke thyer xhamat dhe ai u godit në sy nga copat e xhamit.

“Nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Ndërsa kaluam, na qëlluan. Gjithçka shpërtheu.”

Aleksi u qëllua me dy plumba në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa e dashura e shokut të tij u godit në mushkëri. Më në fund, të tre nuk mundën të vazhdonin të ecnin më shumë dhe u ndalën në atë që dukej si një kantier ndërtimi.

“Ne u përpoqëm ta shpëtonim vajzën. Nuk e dinim kush po qëllonte mbi ne, sepse nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte. Sapo pamë dy grupe dhe menduam se ishin arabë që jetonin në shkretëtirë”, tha Alex.

“Ne thirrëm policinë, ambulancat, miqtë  dërguam vendndodhjen tonë  por u deshën tre orë që ata të vinin.”

Vajza që ishte me ta humbi jetën nga plagët e marra. Për fat të mirë, Aleksi dhe shoku i tij u gjetën nga ushtarët, 13 orë pasi filluan të shtënat. Ai e kaloi pjesën më të madhe të javës së fundit në spital në Izrael dhe iu nënshtrua disa operacioneve.

Ai ende nuk shikon nga njëri sy dhe ende nuk dihet nëse mund të shërohet plotësisht. Pavarësisht se është 5000 milje larg shtëpisë, ai shpreson të kthehet në qytetin e tij të lindjes, Çikago, ku punon si bravandreqës, në javët e ardhshme.

/abcnews.al