BERAT- Për të dytin vit radhazi në Berat organizohet festivali i verës. Somelierë të shumtë janë vendosur në bulevardin e qytetit.
Janë 33 kantina, nga Shqipëria, Kosova, por edhe arbëreshë të ardhur nga Italia prezantojnë verën e tyre për vendasit dhe turistët e huaj që janë të shumtë në Berat. Për ta ky panair është një mundësi e mirë.
Nisur nga përvoja e vitit të kaluar, organizatorët thonë se janë më të përgatitur për edicionin e dytë. Përveç llojeve të ndryshme të verës do të ketë dhe muzikë me këngëtarë të njohur.
“Mbrëmja do të vazhdojë me të ftuar ku janë këngëtarët më në zë të gjithë Shqipërisë. Në këtë mbrëmje në darkë do të kemi Kidën. Më pas nesër do të vazhdojë me një tur kantinash, ku vizitorët do të kenë mundësi t’i provojnë verërat. Gjithashtu, edhe nga ana kulturore, do të kemi mundësi të vizitojnë kisha dhe monumente të tjera”, tha drejtoresha e Turizmit e aktiviteteve në Berat, Silvi Merdani.
Festivali i verës kulmon mbrëmjen e 13 tetorit dhe do të vijojë deri në datën 15.