Perëndimi bashkohet kundër Hamas: Dënojmë sulmet terroriste, jemi krah Izraelit

schedule11:20 - 12 Tetor, 2023

schedule 11:20 - 12 Tetor, 2023

Vendet perëndimore kanë shprehur të gjitha mbështetjen për Izraelin, duke dënuar sulmet e grupit terrorist të Hamas. Nga foltorja e Bundestagut, kancelari gjerman Olaf Schcolz ka dënuar sulmet, duke shprehur mbështetjen e palëkundur për qeverinë izraelite.

Përvec grupit të militantëve, kancelari gjerman u drejtoi gishtin si përgjegjës për luftën edhe aleatëve që e mbështetën, në këtë rast, Iranit.

“Ndërsa ne nuk kemi asnjë provë të fortë se Irani e mbështeti operacionalisht këtë sulm frikacak, është e qartë për të gjithë ne se pa mbështetjen e tij, Hamasi nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të fillonte këtë sulm të paprecedentë.”

Irani mendohet se mbështet Hamasin me stërvitje taktike, udhëzime se si të montojnë raketa me sisteme të avancuara drejtimi, si dhe me fonde prej gati 100 milionë dollarësh në vit,  të gjitha këto kanë kontribuar për përmasat që pati ky sulm.  Kancelari gjerman njoftoi se berlini do të ndalojë të gjitha mbledhjet e fondeve dhe aktivitetet e tjera mbështetëse për Hamasin.

“Mjerisht, ne mund të parashikojmë se vuajtjet e popullatës civile në Rripin e Gazës ka të ngjarë të rriten më tej por edhe ky është faji i Hamasit dhe sulmit të tij ndaj Izraelit” tha nder të tjera shcolz.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e luftës, teksa shtoi se sulmet e kryera mes Izraelit dhe Libanit mund të rrezikojnë shtrirjen e konfliktit.

“Jam i shqetësuar nga shkëmbimi i zjarrit rishtazi përgjatë Vijës Blu dhe sulmet që u njoftuan se u bënë nga Libani jugor. U bëj thirrje të gjitha palëve dhe atyre që kanë influencë tek këto palë, të shmangin një përshkallëzim dhe shtrirje të mëtejshme”

Vija Blu është vija ndarëse mes Izraelit dhe Libanit, e cila patrullohet nga paqeruajtës të OKB-së. Grupi militant libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, kontrollon Libanin jugor. Ekziston frika se ky grup do të bëhet pjesë e konfliktit, në mbështetje të Hamasit.

Nga ana tjetër, Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për siç tha mungesë përgatitjeje për sulmin e fundjavës nga grupi militant palestinez, Hamas.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!