Lirim Gjura është shqiptari që po korr sukses në garat prestigjoze në Europë. Ai është pilot në garat drift, një pasion që prej tre vitesh e ka kthyer në profesion.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Lirimi ka treguar se pasioni për makinat i ka nisur që në moshë të vogël, kur jeton në Peshkopi. Më pas qendronte në ofiçinë shumë orë, derisa nisi të merrej me garat drift.
“Gjithmonë pasioni për motorrat dhe makinat ka qene shumë i madh, që në moshën 10-vjeçare. Unë kam lindur në Peshkopi, por vëllezërit e mi më të mëdhenj kishin të gjithë makina në shtëpi.
Unë kisha shumë talent, pjesën e mekanikës dhe makinat. Qendroja te ofiçina prej mëngjesit deri në darkë. Unë e kam kthyer nga pasion në punë dhe jam garues profesionist. Kam tre vite që bëj gara drift, një vit kam qene fillestar, kurse ka dy vite që bëj gara në fazën e maksimumit të drift, që makina duhet të ketë 500 kuaj fuqi e sipër. Makina ime ka tre lloj mënyrash që e përdor, 500 kuaj fuqi, 700 ose mbi 900 kuaj fuqi. Makina është me motorr Toyota dhe kambio është BMW. Janë të gjitha pjesët që ofrohen dhe nuk janë shumë të vështira për t’u gjetur, por kontrolli i makinës bëhet çdo herë përpara garës”, u shpreh ai./abcnews.al